Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka kritikuar ashpër udhërin e presidentit amerikan, Donald Trump, për ndaljen e përkohshme të hyrjes në Shtetet e Bashkuara të shtetasve të 7 vendeve me popullatë shumicë myslimane, duke thënë se përpjekjet për luftimin e terrorizmit nuk e arsyetojnë marrjen në shënjestër të një religjioni specifik.
Mëtutje zonja Merkel, sot ka theksuar se lufta kundër terrorizmit është “esenciale” dhe duhet të jetë “e vendosur”.
Por, sipas saj, kjo “në asnjë mënyrë nuk e arsyeton dyshimin e përgjithshëm kundër popullit të një religjioni specifik, në këtë rast të popullit me fe myslimane ose njerëzit me prejardhje të caktuar”.
“Unë mendoj se ky akt shkon kundër parimeve bazike të ndihmës ndërkombëtare për refugjatët dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha Angela Merkel, dhe ka shtuar se “qartazi, ne do të kemi konsultime të afërta me partnerët tanë evropianë për këtë çështje në tërësi”. /REL/