Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në një linjë mendimi sa i takon mënyrës se si duhet zgjidhur ngërçi me Korenë e Veriut.
Nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Donald Trump deklaroi se do ta shkatërrojë krejtësisht vendin komunist nëse kërcënon Amerikën apo aleatët e saj. Merkel, e cila pritet të fitojë këtë të dielë një mandat të katërt në krye të ekzekutivit gjerman, mendon se shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka gabim.
“Unë jam kundër kërcënimeve të tilla. Ne e konsiderojmë çdo lloj zgjidhjeje ushtarake si totalisht të papërshtatshme dhe këmbëngulim tek përpjekjet diplomatike. Për mendimin tim, në këtë kuadër edhe sanksionet dhe vënia në jetë e tyre janë përgjigjja e duhur. Por, gjithçka tjetër në lidhje me Korenë e Veriut e konsideroj të gabuar”, tha Merkel.
Këtë gjë, siç e pohoi dhe vetë, kancelarja e ka diskutuar në telefon me Presidentin përpara disa ditësh. Ndonëse Koreja e Veriut është mjaft larg si distancë nga Gjermania, u shpreh ajo, kemi të bëjmë me një konflikt që na prek edhe ne, ndaj jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë tona.
Më herët, ministri i Jashtëm koreano-verior, Ri Yong Ho e krahasoi kërcënimin e Trump me “lehjen e një qeni” e tha se i vjen keq për këshilltarët e kreut të administratës amerikane. Diplomatët e Penianit nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë kohës që Trump mbante në OKB fjalimin e tij debutues.