Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka cilësuar si të domosdoshëm një dialog të ngushtë me Turqinë, dhe ka hedhur poshtë thirrjet e opozitës për të ndaluar tubimet e fushatës së politikanëve turq në Gjermani.
Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlament, Merkel theksoi rëndësinë strategjike të Turqisë për Gjermaninë dhe tha se ajo favorizon dialogun, pavarësisht mosmarrëveshjeve “të thella” dhe “serioze” mbi një numër të madh çështjesh.
“Edhe pse çdo gjë duket e vështirë në këtë moment, Turqia përbën një faktorë të rëndësishëm për interesat gjeopolitike, dhe në anën tjetër Turqia është një partner i NATO-s” ajo tha.
Merkel theksoi se pavarësisht dallimeve, Berlino dhe Ankaraja kishin marrëdhënie të veçanta për shkak të 3 milion anëtarëve të komunitetit turk që jeton në Gjermani, po ashtu edhe lidhjet e ngushta ekonomike dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në luftën kundër terrorizmit.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan kohët e fundit, pasi autoritetet gjermane anuluan disa tubime në të cilat ministrat turq iu planifikonin t’u adresoheshin bashkatdhetarëve të tyre, lidhur me referendumin e Turqisë mbi ndryshimet kushtetuese.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi autoritetet gjermane javën e kaluar për minimin e lirisë së shprehjes dhe tha se këto praktika “nuk dallojnë nga praktikat naziste të së kaluarës”. /MESAZHI/