Merkel dhe Trump bisedë për Sirinë dhe armët ruse

Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi një bisedë me Presidentin amerikan Donald Trump për situatën në Siri dhe për armët e reja bërthamore të cilat i paralajmëroi dje presidenti rus, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyra e kancelares gjermane bëri të ditur se Merkel dhe Trump bisedën e realizuan të enjten në mbrëmje dhe se janë dakorduar mbi nevojën për të detyruar regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad dhe aleatët e tij të respektojnë rezolutat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbi vendosjen e armëpushimit në Siri.

Merkel dhe Trump i bënë thirrje Rusisë “që të mos marrë pjesë në bombardimin e Gutës Lindore”, paralagjes së Damaskut e cila është nën kontrollin e opozitës.

Ata konsiderojnë se qeveria e presidentit sirian mban përgjegjësi për përdorimin e armëve kimike, sulmeve ndaj civilëve dhe bllokadën humanitare në Siri.

Merkel dhe Trump kanë shprehur gjithashtu shqetësim lidhur me deklaratën e djeshme të presidentit rus Vladimir Putin për sistemin e ri të armëve, duke theksuar pasojat negative që mund të ketë ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për kontrollin e armëve.