Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, pranoi se kishte dështuar gjatë mandatit të saj për krijimin e një arkitekture të sigurisë që mund të kishte parandaluar luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Duke folur në intervistën e saj të parë publike që nga largimi i saj nga detyra në dhjetor, Merkel para një auditori në Teatrin e Ansamblit të Berlinit tha se ajo filloi të merrte seriozisht mundësinë që Rusia të niste një luftë kundër Ukrainës gjatë javëve të fundit në detyrë.
Duke dënuar Rusinë, ajo theksoi se nuk ka asnjë justifikim për sulmin ndaj Ukrainës, i cili është një “sulm brutal” që shkel ligjin ndërkombëtar.
Merkel gjithashtu përshëndeti presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për udhëheqjen e tij, duke shtuar se ai përfaqëson “një Ukrainë të re”.
“Unë nuk e ndaj mendimin e Putinit, për ta bërë këtë shumë të qartë. Por ne nuk arritëm të krijonim një arkitekturë sigurie që mund ta kishte parandaluar këtë (luftën në Ukrainë) dhe duhet menduar edhe për këtë”, theksoi ajo.
Ajo hodhi poshtë gjithashtu kritikat se nën udhëheqjen e saj, Gjermania ishte zhytur në një iluzion se një Rusi ushtarakisht agresive mund të demokratizohej duke zgjeruar lidhjet tregtare me vendet perëndimore.
“Nuk besoja se Putini mund të ndryshohej përmes tregtisë”, nënvizoi ajo, duke shtuar se megjithatë nëse bashkëpunimi politik ishte i pamundur, ishte e arsyeshme që të paktën të kishim disa marrëdhënie ekonomike me Rusinë.
Duke shpjeguar se lidhjet e saj me Putinin u përkeqësuan pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Merkel tha se ajo u tha njerëzve se “Putini dëshiron të shkatërrojë Evropën pasi ai e sheh BE-në si fazën preliminare të NATO-s”.
Ajo theksoi se gjatë udhëheqjes së saj, ishte angazhuar fuqishëm që të mos përshkallëzoheshin tensionet me Rusinë, por ishte për të ardhur keq që kjo nuk mund të arrihej.
Më herët, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, kritikoi ashpër politikën energjetike të vendit ndaj Rusisë nën drejtimin e Merkelit.
Bashkëpunimi në tubacionin të gazit gjermano-rus “Rrjedha Veriore 2”, i cili është kritikuar prej kohësh nga evropianët qendrorë dhe lindorë, ishte fatale, sipas Baerbock.
“Këto ishin gabime të qarta” të cilat qeveria e re gjermane i korrigjoi, tha ajo në prill.
Merkel e kishte përshkruar prej kohësh “Rrjedhën Veriore 2” si një projekt të sektorit privat. Pas ndryshimit të qeverisë, as pasardhësi i saj, Olaf Scholz, nuk u distancua fillimisht nga projekti.
Megjithatë, me fillimin e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, Gjermania pezulloi certifikimin e tubacionit. /atsh