Mërgim Mavraj pëson dëmtim të rëndë, nxirret me barelë nga fusha

Mërgim Mavraj ka pësuar një dëmtim të frikshëm gjatë ndeshjes së javës së dytë të Bundesliga 2, mes Aue dhe Greuther Furth.

Mbrojtësi i Greuther Furth u lëndua nga shoku i skuadrës, portieri Sascha Burchert në minutën e 17-të të ndeshjes.

Gjatë një aksioni në zonën e Furthit, Burchert doli nga zona e tij për të larguar topin, por nuk mundi ta shmangte kontaktin me Mavrajn të cilin e goditi me të dyja duart në kokë.

Stafi mjekësor ka ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë ndihmë ish-kapitenit të Shqipërisë.

Fillimisht kishte momente paniku, por më pas Mavraj u zgjua dhe u transportua me barelë jashtë stadiumit në minutën e 21-të duke lënë takimin në mes.

Klubi i ka uruar shërbim të shpejtë me një postim pas pjesës së parë.