Ballina Arritje Mënyrat për të rritur koncentrimin përmes ushqimit

Mënyrat për të rritur koncentrimin përmes ushqimit

Shumë hulumtime shkencore kanë treguar që lloje të caktuara të ushqimeve dhe bimëve shëruese ndikojnë pozitivisht në funksionin e trurit, kujtesën dhe koncentrimin.

Humbja e kujtesës afatshkurtër është fenomen i shpeshtë pas vitit të pesëdhjetë të jetës, por në kohën e fundit nga ky çrregullim vuajnë edhe njerëzit e rinj. Ekspertët konsiderojnë që një nga shkaqet kryesore të dobësimit të kujtesës është mungesa e kimikaleve përgjegjëse për kujtesë (prodhohen në tru), por mund të jetë edhe arteroskleroza, qarkullimi i dobët, përdorimi i disa llojeve të ilaçeve, problemet emotive (stresi, depresioni).

Rezultatet e shumë studimeve shkencore kanë treguar që në funksionin e trurit, kujtesës dhe koncentrimit ndikon shumë ushqimi. Derisa disa ushqime sigurojnë furnizim të mirë të gjakut në sistemin nervor qendror dhe nxisin funksionet e tij, të tjerat kanë efekt të kundërt dhe duhet të shmangen. Ushqimi i cili përmban shumë yndyra të ngopura (mishi, qumështi me shumë yndyrë, djathi, gjalpi…) redukton rrjedhën e gjakut në tru dhe çrregullon kujtesën, ndërsa efekt të ngjashëm ka edhe alkooli.

Arrat

Nga kohët e lashta ky fryt bërthamor konsiderohet ushqim ideal për trurin. Dihet që arrat (si edhe bajamet dhe lajthitë) janë burim i shkëlqyeshëm i acideve yndyrore omega 3, të domosdoshme për funksionim të duhur të qelizave të trurit dhe neurotransmetuesve përgjegjës për ndryshim të disponimit (për këtë arsye mund të japin ndihmë të madhe edhe në rast të depresionit).

Megjithatë, ky fryt i dobishëm duhet të konsumohet në sasi të moderuara dhe në gjendje të papërpunuar, sepse është shumë kalorik. Nevojat ditore për acide yndyrore omega-3 i plotësojnë shtatë arra të plota, që më mirë është të konsumohen për mëngjes me drithëra ose si zamër kualitative.

Algat

Algat e detit përmbajnë shumë materie ushqyese – natrium, kalcium, klor, kalium, jod, hekur, bakër, zink dhe selen, ndërsa janë të pasura edhe me materie tjera që nxisin funksionet e trurit: vitamina C, B12 dhe karoten, si dhe acide yndyrore linoleinike dhe alfa-linoleinike.
Përveç që përmirësojnë memorien dhe koncentrimin, algat ulin nivelin e kolesterolit në gjak, në mënyrë të dobishme ndikojnë në metabolizëm dhe forcojnë dhëmbët, flokët dhe eshtrat. Përdoren si shtesë në ushqime, të freskëta apo të ziera. Mund të blihen në të gjithë shitoret e ushqimit të shëndetshëm.

Rozmarina

Rozmarina, simboli i lashtë i urtësisë, me shekuj përdoret për forcimin e funksioneve trunore, ndërsa efektin e saj e kanë vërtetuar edhe studimet më të reja shkencore. Kjo mëlmesë aromatike përmban acid kornozik (CA), antioksidantin e fuqishëm i cili neutralizon efektin e radikaleve të lira përgjegjëse për dëmtimin e trurit dhe mbron nga sulmi në tru dhe neurodegjenerimet, ndërsa vepron në mënyrë preventive edhe te shfaqja e sëmundjes së Alzheimerit.

Rozmarina konsiderohet edhe eliksir i rinisë, sepse përshpejton rritjen e eshtrave, rinon trurin, përmirëson qarkullimin, parandalon shfaqjen e sëmundjeve të zemrës. Për përmirësim të kujtesës përdoret çaji nga maja e degëzës së bimës, i cili nuk duhet të pihet në mbrëmje, sepse nxit qëndrimin zgjuar.

Kakao

Është dëshmuar që popujt që rregullisht konsumojnë pijen e krijuar nga fryti i degës së kakaos rrallë sëmuren nga sëmundjet kardiovaskulare dhe sulmi në tru. Shkenca ka vërtetuar efektin çudibërës të përbërësit të kakaos – flavanolit, antioksidanti, i cili stimulon qarkullimin e gjakut në tru, dhe krahas kësaj ndikon pozitivisht në aftësitë kognitive dhe mbron nga dementia.

Kakao është burim i shëndetit mental dhe disponimit të mirë, ndërsa për dallim nga ilaçet sintetike, nuk nxit efekte të padëshirueshme. E rëndësishme është të theksohet që çokollata, përveç këtij përbërësi të dobishëm përmban edhe sheqer, yndyra dhe disa shtesa të dëmshme, prandaj rekomandohet konsumimi i kakaos në pluhur.

Zhen-shen

Zhen-shen është adaptogjen i njohur, çka nënkupton që është në gjendje t’i ndihmojë organizmit që t’u përshtatet kushteve me impenjim dhe stres të shtuar. Kjo bimë, të cilën e quajnë rrënjë të jetës dhe ilaç universal, rrit qëndrueshmërinë psikofizike, ndikon pozitivisht në aktivitetin trunor dhe stimulon tajitjen e adrenalinës. U rekomandohet studentëve dhe sportistëve, respektivisht të gjithë atyre që janë të ekspozuar ndaj lodhjes psikofizike dhe stresit.
Zhen-shen përmirëson qarkullimin e gjakut, prandaj aplikohet edhe në shërimin e impotencës mashkullore. Përveç kësaj, ul tensionin e gjakut, nivelin e kolesterolit dhe sheqerit në gjak, forcon imunitetin dhe mban vitalitetin e organizmit. Përdoret në formë të ekstrakteve, kapsulave ose çajit.

Recetat
Çaji nga Zhen-shen

Një lugë kafe të rrënjës së thatë të zhen-shen e përzieni me një filxhan ujë të valë dhe e lini të qëndrojë 4-5 minuta. Copat e rrënjës mund të përdoren 2-3 herë për të përgatitur çajin dhe pastaj mund të hahen.

Çaji nga rozmarina

Dy lugë kafe me gjethe të rozmarinës i zieni në 1,5 dl ujë për dy minuta. Kullojeni dhe pini dy herë në ditë.

Pija nga kakao

100 ml ujë dhe qumësht përzieni me një lugë mjaltë dhe zieni dhe pastaj shtoni 2-3 lugë të kakaos pluhur.

Këshilla shtesë:
– Hani tri vakte në ditë, plus edhe dy zamra me pemë, për të mbajtur nivelin normal të sheqerit në gjak. Ky është një nga parakushtet për funksionimin optimal të trurit.
-Çdo ditë konsumoni drithëra integrale, bimë bishtajore, fruta arrore, pemë dhe perime, fara, sepse janë të pasura me materiet që përmirësojnë furnizimin me gjak të trurit dhe ruajnë shëndetin e tij.

Exit mobile version