Ballina Kuzhinë Menuja për ditën e trembëdhjetë të Ramazanit (FOTO+RECETA)

Menuja për ditën e trembëdhjetë të Ramazanit (FOTO+RECETA)

Përzgjedhja e recetave është bërë nga dietologë dhe kuzhinier mjaft të aftë. Ato janë të bollshme dhe të mjaftueshme për personat të cilët përveç një regjimi shpirtëror do  mbajnë dhe regjim fizik përgjatë këtij Muaji të Shenjtë. Me shpresën se recetat e sjella do pëlqehen nga ju më poshtë do ju prezantojmë pjata me shije të veçanta, kryesisht aziatike.

Menuja e ditës së trembëdhjetë  të Ramazanit përbëhet nga 4 pjata:

Supë me kërpurdha

Tavë  me pulë dhe oriz

Sallatë me perime dhe arra

Embëlsirë “Pasta e nuses”

Supë me kërpurdha

Përbërësit:

400 gr kërpurdha

1 gotë uji me kos

1,5 lugë gjelle gjalpë

2 lugë gjelle miell

1 e verdhë veze

4 gota me ujë

Kripë

Për siprinën:

½ lugë gjelle gjalpë

1 lugë çaji nenexhik

Spec djegës

Përgatitja:

Kërpurdhat pritini në kubikë. Në një tenxhere shkrini gjalpin dhe kaurdisni miellin përreth 1 minutë. Më pas shtoni kërpurdhat dhe pasi janë skuqur pak shtoni ujin dhe lërini të ziejnë.

Nga ana tjetër në një enë shtoni kosin dhe të verdhën e vezës. Pasi i keni përzier mirë shtoni një garuzhde nga lëngu që po valon. Përziejini mirë derisa të vaket.

Pasi është vakur kremi i supës shtojeni atë ngadalë në tenxhere dhe rregullojeni me kripë dhe spec djegës.

Sipër për dekor dhe shije mund t’i shtoni nenexhikun e skuqur me gjalpë.

Tavë me pulë dhe oriz

Përbërësit e kësaj recete për 6 persona:

1 pulë, rreth 1 kg e gjysmë

1 kg oriz
1 qepë
2-3 lugë gjalpë
kripë, piper, kopër

Përgatitja:

Pulën e pastruar vëni të zihet në ujë të bollshëm. Ndërkohë qepën e grirë hollë e vendosni të kaurdiset (të fërgohet) me gjalpin derisa të ketë marrë ngjyrë të artë.
Shtoni orizin dhe skuqeni pak.
Kur pula të jetë gati, priteni në copa.

Në një tavë të madhe hidhni orizin, 2 litra nga lëngu i pulës ose nëse është më pak, pjesën tjetër shtojeni me ujë.
Sipër vendosni pulën, rregullojeni me kripë, piper i grirë imët, koperi dhe më pas e piqni në maksimumin e temperaturës derisa lëngu të jetë avulluar.

 

-Sallatë me perime dhe arra

Nuk kishte si të mungonte sallata në një menu ku është i pranishëm mishi i pulës.

Përbërësit:

4 domate të vogla

2 kastraveca të vegjël

1 spec jeshil

2 tufa të vogla majdanoz

1 qepë e thatë

5 lugë gjelle vaj ulliri

5 lugë gjelle lëng shege i koncentruar (gjendet në market)

2 lugë gjelle lëng limoni

1 gotë çaji me arra të grira

Kripë

Përgatitja:

Grini në kubikë shumë të vegjël gjitha zarzavatet dhe në fund shtoni arrat, lëngun e shegës, vajin dhe kripën. Pasi i përzieni mirë përbërësit sallata është gati për t’u servirur.

-Ëmbëlsirë turke “Pasta e nuses”

Përbërësit për pandispanjën:

4 kokrra vezë

1 gotë uji sheqer

1 gotë uji miell

1 pako fryrës

1 pako vanilje

Përbërësit për njomjen e kekut:

2,5 gota uji qumësht

Përbërësit për muhalebinë:

1 litër qumësht

1 gotë uji sheqer

3 lugë gjelle miell

2,5 lugë gjelle niseshte

1 pako pluhur kremi të gatshëm

Arrë kokosi

Në një enë të thellë hidhni vezët dhe rrahini mirë me sheqerin 3-4 minuta. Më pas shtoni miellin, fryrësin dhe vaniljen. Përziejini me mikser derisa të merrni një masë kompakte. Brumin e kekut hidheni në një tepsi  katrore të lyer mirë më gjalpë. Piqeni me 170 gradë përrëth 25-30 minuta.

Për muhalebinë; në një tenxhere hidhni qumështin dhe sheqerin, miellin, dhe nisështenë. Përziejini mirë që të mos krijohen toptha. Sapo të krijohet një masë e trashë hiqeni nga soba dhe lëreni të ftohet pak. Pasi ftohet i shtoni dhe pluhurin e kremit të pasticerisë dhe e përzieni në mikser.

Kekun pasi e keni nxjerrë nga furra dhe lënë të ftohet komplet,i hidhni qumështin e ftohtë për ta njomur dhe e lemë të pushojë për 20 minuta. Më pas sipër i shtrojmë muhalebinë dhe e lëmë një natë në frigorifer. Para se ta servirni hidhini sipër arrë kokosi.

Exit mobile version