Ballina Kuzhinë Menuja për ditën e njëmbëdhjetë të Ramazanit (FOTO+RECETA)

Menuja për ditën e njëmbëdhjetë të Ramazanit (FOTO+RECETA)

Përzgjedhja e recetave është bërë nga dietologë dhe kuzhinier mjaft të aftë. Ato janë të bollshme dhe të mjaftueshme për personat të cilët përveç një regjimi shpirtëror do mbajnë dhe regjim fizik përgjatë këtij Muaji të Shenjtë. Me shpresën se recetat e sjella do pëlqehen nga ju më poshtë do ju prezantojmë pjata me shije të veçanta, kryesisht aziatike.

Menuja e ditës së njëmbëdhjetë  të Ramazanit përbëhet nga 4 pjata:

Supë pule me oriz

Shish pule me pite

Sallatë e ftohtë me makarona dhe kos

Ëmbëlsirë me krem

Supë pule me oriz

Përbërësit:

100 gr gjoks pule

1 gotë çaji oriz

1 lugë gjelle salcë domatesh

5 gota me ujë

1 limon i vogël

1 e verdhë veze

1 lugë gjelle gjalpë

1 dorë majdanoz

Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Në një tenxhere të thellë shkrini gjalpin dhe salcën e domateve. Kaurdisini për 1 minutë. Pasi i keni shtuar dy gota ujë lerëni të valojë. Më pas shtoni orizin dhe lëreni të ziejë. Nga ana tjetër në një texhere të vogël vendosni mishin e pulës dhe ziejeni mirë. Pasi e hiqni nga zjarri grijeni atë në copa të vogla.

Sakaq orizit i shtoni dhe pjesën e mbetur të ujit, si dhe mishin e pulës. Rregullojeni sipas dëshirës me kripë dhe piper të zi.

Për kremin e supës; në një tas hidhni lëngun e limonit dhe të verdhën e vezës. Nga lëngu i supës që po valon merrni një garuzhde prej tij dhe shtojani kremit. Prisni sa kremi të vaket dhe më pas ia hidhni supës me ngadalë.

Shish pule me pite

Përbërësit:

500 gr mish pule i prerë në kubikë

1 pite ( gjendet e gatshme në furra buke)

1/3 gotë uji pure domatesh

1 lugë gjelle gjalpë

½ gotë uji qumësht

½ gotë çaji vaj ulliri

5 speca jeshil

Spec djegës

Kripë

Piper i zi

Përgatitja:

Pasi keni larë mirë mishin e pulës vendosëni në një tas për marinim. Sipër shtoni qumështin, vajin e ullirit, kripën, rigonin. Lërini të marinohen përreth 30-35 minuta në frigorifer.

Rradhisni kubikët e mishit në shkopinjtë e shishit dhe vendosini në tigan (ose zgarë sipas mundësisë).

Nga ana tjetër piten e ndani në llokma të vogla dhe e piqni perreth 3-4 minuta në furrë. Gjithashtu dhe specat skuqini në një tigan .

Purenë e domateve e kaurdisni me gjalpë dhe piper të zi.

Pitet e ngrohta shtrojini në një pjatancë servirjeje dhe më pas hidhni sipër salcën dhe mishin e pulës. Pranë tyre vendosni dhe specat e skuqur.

Sallatë e ftohtë me makarona dhe kos

Përbërësit:

½ gotë uji makarona elbore

3 lugë gjelle misër i konservuar

3 duar majdanoz

1 gotë uji kos

½ lugë gjelle majonezë

Kripë

Përgatitja:

Në një tenxhere shtoni ujin e nxehtë, vaj dhe kripë. Më pas shtoni makaronat dhe lërini derisa të zbuten. Përziejini herë pas here në mënyrë që të mos ngjiten.

Nga ana tjetër lani majdanozin dhe grijeni imët.

Makaronat i kullojmë dhe i shpërlajmë me ujë të ftohtë në kullesë.

Në një enë të thellë vendosni makaronat, majdanozin dhe misrat. Shtoni kosin dhe majonezën dhe pasi i keni përzier pjatën e keni gati për servirje.

Ëmbëlsira me krem

Përbërësit:

2 kokrra vezë

½ gotë uji sheqer

½ gotë uji vaj luledielli

½ gotë uji galetë

½ gotë uji arra kokosi

½ gotë uji arra të grira

½ pako vanilje

½ pako pluhur fryrës

Për shërbetin:

½ gotë uji sheqer

1 gotë me ujë

Për muhalebinë:

500 ml qumësht

½ gotë uji niseshte

3,5 lugë gjelle sheqer

½ pako krem pastiçerie pluhur

½ pako vanilje

Përgatitja:

Si fillim përgatisni shërbetin. Në një tenxhere hidhni ujin dhe sheqerin.Lërini në zjarr derisa sheqeri  të jetë shkrirë plotësisht dhe pastaj lëreni shërbetin të ftohet në temperaturë ambienti.

Nga ana tjetër në një enë hidhni 2 kokrra vezë. Sipër shtojini sheqerin dhe përziejini me miksër derisa të krijohet shkumë. Pastaj shtoni vajin dhe vazhdoni përzierjen. Shtoni galetën, fryrësin, arrën e kokosit dhe vaniljen. Pasi është krijuar një masë kompakte hidheni në kallëp të posaçëm për pandispanjë dhe piqeni në temperaturë 170 gradë përreth 20-25 minuta.

Për muhalebinë; në një tenxhere hidhni qumështin, niseshten dhe sheqerin. Përzieni mirë derisa të trashet muhalebija. Pasi e hiqni nga zjarri e lini të ftohet. Pas ftohjes shtoni pluhurin e kremit të pastiçerisë dhe vaniljen dhe përziejini mirë me mikser derisa të formohet mirë kremi.

Pas nxjerrjes së pandispanjës nga furra hidhni  shërbetin dhe lëreni të ftohet totalisht.

Pasi pandispanja është ftohur shtoni sipër kremin dhe fruta të thata sipas dëshirës. /Frekuenca/

 

Exit mobile version