Shumë prej nesh i luten Zotit me gjithë shpirt dhe i përgjërohen Atij, duke shpresuar që Ai t’iu përgjigjet lutjes së tyre, pikërisht për shkak të këtij përkushtimi. Përkushtimi në lutje dhe sinqeriteti janë të domosdoshëm dhe shkak për pranimin e lutjes, por para tyre ka diçka shumë më të rëndësishme dhe më parësore e themelore, që është bindja se Allahu është Bujar, i Mëshirshëm, Falës, Ai që i përgjigjet lutjes pikërisht sepse është i tillë, dhe jo se na e ka detyrim apo na e dhuron mirësinë e Tij, thjesht si kundërvlerë të asaj që ne bëjmë për Të. Jo.
Kështu që nuk duhet pritur përgjigjja e lutjes, nisur nga besimi tek vetja, se ne kemi qenë të sinqertë dhe të përkushtuar në kulm. E para, se kjo nuk mund të jetë plotësisht e vërtetë, sepse ne jemi njerëz dhe gjithmonë mangësia jonë në përkushtim dhe sinqeritet ka dobësitë e veta dhe e dyta, besimi duhet të mbështetet fund e krye pikërisht tek atributet e mirësisë së Allahut, që janë të pafundme, duke menduar mirë për Të dhe jo tek mendimi i mirë që ne kemi për veten, sepse ndryshe mund të gabojmë.
Xhabir ibn Abdilah tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) të thotë tri ditë para se të vdiste: “Askush prej jush nuk duhet të vdesë vetëm se duke pasur mendim të mirë për Zotin e Plotfuqishëm.” (Muslimi, 2877)
Hoxhë Justinian Topulli