Meksikë, humbin jetën 54 emigrantë në një aksident me kamion

Të paktën 54 emigrantë e kanë humbur jetën dhe 59 të tjerë u plagosën kur një kamion me të cilin po udhëtonin u përplas në një autostradë në jug të Meksikës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin nga Prokuroria në shtetin Chiapas, kamioni që transportonte emigrantë është përplasur me murin mbajtës në autostradë dhe është përmbysur.

Në aksident kanë humbur jetën 54 persona ndërsa janë plagosur 59 të tjerë, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Autoritetet deklaruan se 107 emigrantë po udhëtonin me rimorkio të kamionit, shumica e të cilëve ishin shtetas të Guatemalës, Hondurasit dhe El Salvadorit.

Guvernatori i Chiapas-it, Rutilio Escandon shprehu ngushëllimet e tij për viktimat përmes një mesazhi të postuar në llogarinë e tij në Twitter. Ai ka udhëzuar autoritetet të hetojnë rastin dhe të përcaktojnë se kush është përgjegjës për aksidentin. /aa