Meksika vazhdon politikën e shpërndarjes së migrantëve që përpiqen të shkojnë në SHBA

Pretendohet se Meksika vazhdon politikën e saj të shpërndarjes së migrantëve të parregullt që përdorin vendin si pikë kalimi për të arritur në SHBA, duke i vendosur ato në lokacione të ndryshme brenda Meksikës për t’i mbajtur ata larg kufirit amerikan, transmeton Anadolu.

Sipas planit në fjalë, migrantët e parregullt që vijnë në Meksikë nga vende të ndryshme për të shkuar në SHBA, dërgohen në qytete të tjera brenda vendit nga autoritetet.

Ish-kreu i Departamentit të Emigracionit meksikan, Tonatiuh Guillen, tha në deklaratën e tij mbi këtë temë se politika e “shpërndarjes”, është bërë elementi bazë i miratuar nga qeveria meksikane në qëndrimin e saj ndaj çështjes së migracionit në vitet e fundit. Kjo, sipas tij, ka mundësuar uljen e ndjeshme të numrit të migrantëve që arrijnë kufirin amerikan vitin e kaluar.

Guillen shprehu bindjen se kjo metodë do t’u sigurojë atyre një mbrojtje kundër presioneve të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

Në këtë kuadër, grupi i fundit prej 100 migrantësh të parregullt që hynë në vend nga jugu u bllokuan në Acapulco në kufirin me SHBA-të, ku shkuan me premtimin se do t’u plotësoheshin dokumentet.

“Zyrtarët e migracionit thanë se do të na lejonin të kalonim lirshëm nga vendi për 10 ose 15 ditë, por kjo nuk ndodhi”, tha Ender Antonio Castaneda, një 28-vjeçar venezuelas.

Duke përmbledhur situatën që iu nënshtruan, Castaneda tha: “Na lanë këtu pa rrugëdalje. Nuk na shesin bileta autobusi, nuk na shesin asgjë”.

Shumë migrantë që nisen nga vendet e Amerikës Qendrore po përpiqen të arrijnë në SHBA nëpërmjet Guatemalës dhe Meksikës.