Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se ushtria amerikane ishte dhe është garantuese kryesore e sigurisë së Kosovës.
“Gjithçka që është ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar në sistemin e mbrojtjes, sigurisë në vendin tonë në përgjithësi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë se Kosovës, (FSK) në veçanti, i atribuohet rolit jetik dhe mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”, ka thënë Mehaj gjatë një vizite që i bëri bazës ushtarake amerikane, “Bondsteel” në Kosovë, më 8 gusht.
Ushtarët amerikanë janë të angazhuar në kuadër të misionit paqëruajtës të NATO-s-, KFOR, në Kosovë.
Në maj të vitit 2021, trupat e FSK-së, së bashku me anëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës së SHBA-së, u nisën në mision paqëruajtës në Kuvajt, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force.
Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.
Qeveria e Kosovës është zotuar që në vitin 2022 do të ndajë mbi 100 milionë euro për FSK-në. /rel