Mehaj: Kontigjentit të FSK-së, iu bashkuan edhe gjashtë pjesëtarë të kërkim-shpëtimit nga Kosova

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se është duke vazhduar operacioni i kërkim-shpëtimit nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në provincën Hatay të Turqisë.

Mehaj në Facebook tha se kontigjentit të FSK-së, i janë bashkuar edhe gjashtë pjesëtar të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të ardhur nga Kosova.

Sipas tij, FSK bashkë me organizatën AKUT po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm në rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.

“Kontigjentit të FSK-së i janë bashkuar edhe gjashtë pjesëtar të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të ardhur nga Kosova, dhe së bashku me organizatën AKUT po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm në rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.Specialistët e kërkim-shpëtimit urban, ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, të FSK-së me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës”, ka shkruar Mehaj.

Teksa ka thënë se orët në vijim janë vendimtare, andaj ka uruar që të gjenden të tjerë të mbijetuar.

Ndryshe numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqinë jugore ka shkuar mbi 21,700, sipas shifrave zyrtare nga autoritetet turke dhe siriane, si dhe shpëtimtarët nga zonat e kontrolluara nga rebelët në veri të Sirisë, por tani kanë kaluar 100 orë nga lëkundjet shkatërruese që nënkuptojnë se situata bëhet edhe më e vështirë për të gjetur të mbijetuar.