Në përkrahje dhe në mbrojtje të kauzës së drejtë palestineze…! (9)
Megjithatë, njerëzorja, e mira, dhe Islami do të triumfojë…!
Nga: Sali Shasivari
Sikurse në të gjitha luftërat e padrejta përgjatë historisë së njerëzimit, edhe lufta, terrori, krimet, masakrat, dhe gjenocidi që po ushtrohet ndaj popullit të pafajshëm palestinez në përgjithësi, si dhe popullit të Gazës në veçanti, në mungesë të arsyeve logjike, morale dhe ligjore, po përcillet me një propagandë të paskrupullt, e cila, në epiqendër të saj ka fjalët dhe frazat boshe, trillimet dhe akuzat e pabaza, si dhe demonizimin dhe satanizimin e palës së dobët…; me ç’rast, lufta e padrejtë përshkruhet si ‘konflikt’, terrori përshkruhet si ‘aksion’, krimet, gjenocidi, dhe masakrat përshkruhen si ‘vetëmbrojtje’, etj… E, mbi të gjitha, agresori definohet si “palë e ndritur dhe e civilizuar”, ndërsa, viktima definohet si “barbar”…!
Një propagandë e këtillë nuk është diç e re, por është vazhdimësi e një historie të gjatë të padrejtësive që ka përjetuar njerëzimi përgjatë shumë dekadave dhe shekujve në vazhdimësi…; dhe se, propagandat e këtilla, si zakonisht, promovohen dhe mbështeten nga ‘elitat gjakpirëse botërore’, ‘lobi grupet djallëzore’, dhe ‘korporatat mediatike satanike’…!
Janë po të njejtët ‘tregtarë të fateve njerëzore’, të cilët, dikur, në emër të ‘superioritetit’ racor dhe fetar, si dhe në emër të “enkulturimit” dhe “civilizimit” të popujve tjerë, kolonizonin, shfrytëzonin, dhe shkatërronin popuj, kultura dhe civilizime të tëra…; ndërsa, sot, po të njejtët, në emër të “lirisë”, “demokracisë” dhe “të drejtave të njeriut”, po robërojnë, shfrytëzojnë, dhe shkatërrojnë popuj, kultura dhe shtete të ndryshme…!
Dallimi i vetëm në mes ‘të djeshmes’ dhe ‘të sotmes’ qëndron në emërtimet, parullat, dhe metodat që shfrytëzohen…; si dhe, në mënyrat e realizimit të planeve të këtilla djallëzore…!
Në gjithë këtë ekuacion të padrejtë, historia na mëson se, megjithatë, njerëzorja, e mira, dhe Islami është çdoherë triumfues, ngase, Zoti është me të vërtetën, me të mirën, dhe me viktimën… Dhe se, gjithçka tjetër mbetet pjesë e sprovës njerëzore në këtë botë, me qëllim të dallimit të së mirës nga e keqja…; sprovë kjo, e cila paraqet shkakun dhe qëllimin e krijimit dhe jetës së njeriut në këtë botë…!
Andaj, përgjatë tragjedive të këtilla njerëzore, po aq sa është sprovë për ata që ju nënshtrohen padrejtësive dhe krimeve të këtilla, po aq është sprovë edhe për pjesën tjetër të njerëzimit, të cilët janë dëshmitarë të asaj që po ndodh… Bile-bile, përgjegjësia e atyre të cilët janë dëshmitarë të padrejtësive të këtilla dhe qëndrojnë indiferentë ndaj të njejtave, është përgjegjësi shumë e madhe, si ndaj viktimave, poashtu edhe karshi Zotit…!
Mbase, siç thotë politikani dhe filozofi i njohur irlandez, Edmund Burke (1729 – 1797), “E keqja mbizotëron kur njerëzit e mirë nuk veprojnë”, apose “Gjithçka që është e nevojshme që e keqja të triumfojë, është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”.!
Përgjatë gati gjashtë muajve të fundit të ‘epizodit’ më të ri të krimeve gjenocidale izraelito-cionisto-botërore ndaj popullit të pafajshëm dhe të robëruar të Gazës, dhe përreth reagimit të zbehur dhe zhgënjyes të botës muslimane në përgjithësi, ajo që bie në sy, është reagimi i masave të gjera popullore perendimore, me ç’rast, kemi një vetëdijesim, pro-aktivitet, dhe reagim thuajase të paparë deri më sot… Vetëdijesim, pro-aktivitet, dhe reagim ky, i cili, jep shpresa se, megjithatë, njerëzorja dhe e mira është ende prezente, se popujt e lirë janë me popullin palestinez, dhe se, janë vetëm ‘të pashpirtët’, ‘tregtarët e fateve njerëzore’, dhe ‘avokatët e dreqit’ ata që e përkrahin dhe e mbështesin terrorin, krimin, dhe gjenocidin izraelito-cionist…!
Argument më i mirë në lidhje me këtë që po them, është fakti se, këta ‘shpirtligë’ dhe ‘shpirtshitur’ nuk mund të tubojnë rreth vehtes as ‘një-përqindshin’ e masave popullore anekënd botës, në krahasim me numrin e njerëzve anekënd botës të cilët e përkrahin kauzën e drejtë palestineze… Mirëpo, është ‘paraja’, ‘pushteti’, dhe ‘propaganda’ ajo që i bën ata të duken si të “civilizuar”, e, që në fakt, nocioni ‘civilizim’ është shumë larg barbarisë së tyre…!
Në këtë kontekst, për ‘speciet’ e këtilla të cilat pretendojnë ‘civilizim / qytetërim’ duke vrarë foshnje nëpër inkubatorë, duke sulmuar spitale, duke vrarë fëmijë, gra, dhe pleq, duke ekzekutuar ‘politika të tokës së djegur’, duke ndaluar arritjen e ujit, ndihmave ushqimore, barërave, etj. …; ‘specieve’ të këtilla po ua rikujtoj thënien e antropologes së njohur amerikane, Margaret Mead (1901-1978), e cila, një herë u pyet se: ‘Çfarë ajo konsideronte të ishte prova e parë e qytetërimit / civilizimit’. Ajo u përgjigj: ‘Një kockë e kofshës njerëzore me një frakturë të shëruar, e gjetur në një vend arkeologjik 15,000 vjeçar’. Mëpastaj pyetësi vazhdoi duke thenë: ‘Pse jo mjete për gjueti, apo artefakte fetare, apo forma primitive të vetëqeverisjes kolektive?’ Mead theksoi se: ‘Që një person t’i mbijetonte një femuri të thyer, individi duhej të ishte kujdesur për një kohë të gjatë që ajo kockë të shërohej. Madje, të tjerët duhet të kenë siguruar strehim, mbrojtje, ushqim dhe pije për një periudhë të gjatë kohore që ky lloj shërimi të jetë i mundur’. Në këtë mënyrë, antropologia e madhe Margaret Mead sugjeron se, treguesi i parë i qytetërimit / civilizimit njerëzor është kujdesi – përgjatë një kohe – ndaj dikujt që është i thyer dhe në nevojë; fakt ky, i dëshmuar nga një thyerje e një kocke të kofshës që u shërua. (Kjo histori tregohet nga Ira Byock, një autoritet në mjekësinë paliative, në librin e tij ‘The Best Care Possible: A Physician’s Quest to Transform Care Through the End of Life’ / ‘Kujdesi më i mirë i mundshëm: Kërkimi i një mjeku për të transformuar kujdesin deri në fund të jetës’ – Avery, 2012. Shih: https://divinity.yale.edu/…/15000-year-old-bone-and…).
‘Njerëzishmëria’ nuk është fjalë goje që thuhet, por është gradë që arrihet përmes veprave të mira…! Apose, siç thotë Leo Tolstoy, “Nëse ndjen dhimbje, je i gjallë. Nëse ndjen dhimbjen e njerëzve tjerë, je qenie njerëzore”!
Ndërsa, sa i takon Islamit si fe, ai nuk është ‘pronë’ e një race, populli, kulture, apo etnie, por është fe universale për gjithë njerëzimin…; dhe se, i njejti, kurrë nuk mposhtet, përpos që përjeton batica dhe zbatica; me ç’rast, kur të shohësh se në një vend ka rënie, dije se dikund tjetër ka ngritje…!
Mbase, kjo e shpjegon edhe përhapjen e islamit me të madhe kohëve të fundit në mesin e shoqërive jomuslimane, e sidomos në mesin e shoqërive perendimore…!
Ndoshta jemi në kohën e ‘zëvendësimit’, siç mund të kuptohet nga Ajeti Kur’anor në vijim:
“Ja, ju jeni ata që ftoheni për të dhënë në rrugën e All-llahut (për luftë kundër armikut tuaj), e dikush prej jush bën koprraci, e kush bën koprraci, ai bën kundër vetvetes, All-llahu s’ka farë nevoje, e ju jeni të varfër (keni nevojë). Po nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju”. (Kur’ani Famëlartë: Sureja Muhammed, Ajeti 38)