Me rastin e 486-vjetorit të themelimit së medresesë Gazi Husrev Beu, në Sarajevë u mbajt një akademi solemne ku u theksua rëndësia e këtij institucioni arsimor për mbarë shoqërinë dhe vendin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në akademinë solemne të mbajtur në amfiteatrin e medresesë Gazi Husrev Beu morën pjesë krerët fetarë të Bashkësisë Islame në Bosnje e Hercegovinës (BeH), drejtues dhe profesorë të këtij institucioni dhe nxënës të shumtë të medresesë.
Ushtruesi i detyrës drejtori i medresesë Gazi Husrev Beu, Xhevad Pleh, me këtë rast theksoi se ky institucion arsimor është më shumë se një shkollë.
“Medreseja e Gazi Husrev Beut, duke përmbushur misionin dhe rolin e saj në fushën e arsimit ndër shekuj, është bërë më shumë se shkollë në ndërgjegjen e popullit tonë, është bërë simboli, paradigma, dhe zemra e tij”, tha Pleh.
Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame në BeH theksuan se gjatë këtyre pesë shekujve, medreseja e Gazi Husrev Beut ka arsimuar dhjetëra mijëra nxënës.
Zv/kreu i Bashkësisë Islame të BeH-së, Enes Ljevakoviç, përkujtoi edhe veprën e lënë pas nga Gazi Husrev Beu.
“Ky është edhe një rast për të kujtuar të madhin Gazi Husrev Beu, i cili la pas vakëfet e shumta që ne i përdorim edhe sot dhe që i shërbejnë qëllimit të tyre. Natyrisht, vepra e Gazi Husrev Beut është frymëzuese për ne në çdo drejtim, sidomos në atë pjesë të qëndrimit të tij ndaj pasurisë që zotëronte, të cilën e dhuroi për nevojat e të varfërve dhe nevojat e studentëve, bibliotekave, kërkimit shkencor”, tha ai.
Në ceremoni u ndanë edhe çmime të veçanta për afirmimin e këtij institucioni arsimor.
Medreseja Gazi Husrev Beu u themelua më 8 janar 1537 nga Gazi Husrev Beu. Ndërtesa e medresesë është projektuar si një ndërtesë për më shumë përdorime në të cilën vend qendror i jepet zonës së mësimit (ders’hane), ndërsa pjesët anësore janë të parapara për banim. Me vendim të themeluesit të medresesë, ajo gjendet në zemër të Çarshisë së Sarajevës.