Meditime (10) “Ibrahimizmi” nuk është fe!

Feja e Hz. Ibrahimit (a.s), e bijve të tij, Hz. Ismailit (a.s) e Hz. Ishakut (a.s) dhe ajo e pasuesve të tyre e krejt pejgamberëve të historisë së njerëzimit, përfshi Hz. Musain (a.s), Hz. Isain (a.s) dhe të fundit të këtij zinxhiri të begatë, Hz. Muhamedit (a.s), është NJË!

Ligjërimet mbi tolerancën dhe bashkëjetesën ndërfetare, si dhe ato mbi vëllazërinë njerëzore, janë përherë të domosdoshme dhe të dobishme, sidomos në shoqëritë në diversitet, duke i qëndruar korrekt thirrjes së urtë kuranore dhe traditës së Hz. Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), për të cilat kemi folur dhe nxitur tradicionalisht, pa asnjë hezitim e mëdyshje!

Njëkohësisht, duhet të distancohemi nga thirrjet e rrezikshme të shkrirjes a bashkimit të quajturave “fé abrahamike”, sikurse refuzojmë të gjitha thirrjet dhe përpjekjet e shfaqura herë pas here për unifikimin e “Librave të shenjtë”, njësimin e tyre, a zhveshjen e ligjërimeve kuranore nga disa ajete, që “bien ndesh” me këto thirrje të djallëzuara!

Ne besojmë në të gjitha ajetet e Kuranit, respektojmë shenjtërinë e tyre, adhurojmë Zotin e vetëm të gjithësisë me leximin, studimin dhe praktikimin e tyre, edukojmë fëmijët tanë me këtë frymë dhe e përhapim me sa të kemi mundësi, duke e konsideruar një veprim të tillë, si ndër më fisnikët, me të cilët afrohemi tek Zoti ynë, Allahu i Madhëruar!

Poashtu refuzojmë dhe hedhim poshtë të gjitha përpjekjet e ulëta për anullimim a abuzimin me hadithet e Resulullahut (a.s), goditjen e emrit të Imam Buhariut dhe korifejve të mëdhenj të fesë sonë, për vlerën dhe madhështinë e të cilëve dëshmojnë elitat e dijetarëve të Ehli-Synetit!

Kurani dhe Tradita e Hz. Muhamedit (a.s), janë dy bazat kryesore të fesë në Islam dhe meseleja përfundon këtu!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari