Bashkëpëlqimi i dijetarëve rreth çështjes së gruas muslimane të cilës gjatë Muajit të Ramazanit i paraqiten të përmuajshmet, është se ajo lirohet nga agjërimi. Gjegjësisht ajo pas kalimit të Muajit të Ramazanit është e obliguar që t’i kompenzojë ato ditë që i ka lëshuar pa i agjëruar. Njëherit ky është një lloj lehtësimi dhe mëshire nga ana e All-llahut për gruan që gjendet në ciklin menstrual për faktin se ajo gjatë asaj periudhe trupi i saj ndihet i lodhur e gjithashtu edhe gjymtyrët e trupit të sajë janë të rraskapitura. Prandaj duke u ndodhur ajo në këtë gjendje në mënyrë obligative, e jo në mënyrë zgjedhore rekomandohet që të hajë, për arsye se agjërimi i saj në këtë gjendje as nuk pranohet e as nuk shpërblehet. Prandaj ajo është e detyruar që këto ditë t’i kompensojë pasi të kalojë Muaji i Ramazanit. Kështu vepronin të gjitha gratë muslimane prej kohës së nënave të muslimanëve-grave të Pejgamberit s.a.v.s., sahabijeve r.a. e kështu me radhë, e që nuk ka ndodh asnjëherë që ndonjë gruaje t’i lejohet veprimi i kundërt nga ky që e cekëm.
Këtë e vërteton edhe një transmetim nga Aisheja r.a. e cila thotë: “Kemi qenë të urdhëruara ta kompensojmë agjërimin e lëshuar, e nuk kemi qenë të urdhëruara për të njejtin veprim për namazin”. Preferohet që gjërat të rrjedhin sipas natyrës së tyre, e pasi që cikli menstrual është fenomen natyror-kongjenital, le t’i ngjasojë asaj natyre siç e ka future në rrjedhë All-llahu i Madhërishëm. Mirëpo nëse ekzistojnë ilaçe dhe medikamente të ndryshme të cilat i konsumojnë disa gra, siç janë hapet për prolongimin e të përmuajshmeve, që mund të arrihet gjer te ky efekt me përdorimin e hapeve për ndërprerjen e shtatzënisë, disa gra kanë shpreh dëshirë t’i përdorin të njejtat, për të vetmen arsye dhe atë vonimin e ciklit menstrual që të mos u mbetet ndonjë ditë ë ramazanit pa e agjëruar.
Ky veprim mund të bëhet dhe nuk ka ndonjë pengesë, por me kusht që të konstatohet se nuk ka ndonjë pasojë negative, e kjo mund të konstatohet duke u këshilluar nga të thirrurit për këtë çështje dhe ekspertët e kësaj lëmie. Këshillimet me mjekun se a mund të pasojë ndonjë dëm për shkak të konsumimit të këtyre hapeve, në qoftë se e siguron atë grua për këtë çështje, atëherë gruaja e cila i merr këto hape dhe të përmuajshmet i vonohen gjatë Muajit të Ramazanit, e që zakonisht duhet t’i vijnë, agjërimi i saj është i pranuar, insh’All-llah.