Mediet mbahen larg rastit “Toka”

Seanca e parë gjyqësore ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve në rastin e njohur si “Toka” është mbajtur me dyer të mbyllura, ani pse EULEX-i kishte paralajmëruar në faqen e tij zyrtare se kjo seancë do të jetë e hapur për mediet dhe publikun.

Me vendim të gjyqtarit të kësaj çështjeje penale, Arcadiuss Sedek, mediet dhe publiku janë larguar nga ky shqyrtim gjyqësor me arsyetimin se kjo seancë është teknike, dhe në të do të diskutohet në lidhje me konfirmimin ose jo të aktakuzës për të pandehurit në këtë rast. Mirëpo, vendimi i gjyqtarit për t’i larguar mediet nga kjo seancë është vlerësuar si vendim jo ligjor dhe i paarsyeshëm nga ana e avokatëve mbrojtës së të akuzuarve, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Mbylljen e seancës për rastin “Toka”, kryetari i trupit gjykues e ka arsyetuar se kjo është një seancë teknike, “në të cilën do të diskutohet për hedhjen poshtë ose jo të akuzës për këtë rast”. Mirëpo, gjyqtari Sedek, gjatë kësaj seance, e cila sipas avokatëve mbrojtës të të pandehurve ishte një seancë përgatitore, vetëm i ka pyetur të gjithë të akuzuarit se a i kanë marrë aktakuzat dhe shkresat e tjera të lëndëve. Sadek, ka bërë të ditur se “Nëse do të ketë shqyrtim kryesor seanca do të jetë e hapur”.

Mirëpo, vendimin për përjashtimin e medieve dhe publikut e kanë kundërshtuar disa nga avokatët mbrojtës të të pandehurve në këtë rast. Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Sabedin Haxhiut, ka thënë se kryetari i trupit gjykues ka gabuar që nuk i ka lejuar mediet që të jenë prezentë në këtë seancë.