Mediat raportojnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpalosur informacione të klasifikuara me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një takimi javën e kaluar, duke rrezikuar potencialisht një burim të inteligjencës për Shtetin Islamik, transmeton REL.
Shtëpia e Bardhë i mohoi akuzat, që u publikuan nga Washington Post, Reuters dhe media të tjera, ndërsa demokratë dhe republikanë të Kongresit e cilësuan zbulimin e mundshëm të informacioneve si “shqetësues, të rrezikshëm dhe të pamatur”.
Mediat, duke cituar zyrtarë anonimë, thanë se informacionet që Trump ia ka përcjellë Lavrovit dhe ambasadorit rus në SHBA, Sergei Kislyak, gjatë takimit më 10 maj, janë siguruar nga një partner i SHBA-së, përmes një marrëveshjeje shumë të ndjeshme për shkëmbimin e informacionit.
Partneri nuk i ka dhënë Uashingtonit lejen për të ndarë materialian me Moskën dhe vendimi i Trumpit për të bërë një gjë të tillë rrezikon bashkëpunimin me një aleat që ka qasje në punën e brendshme të grupit militant Shteti Islamik.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale me Lavrovin dhe Kislyakun, Trump, jashtë planifikimeve, raportohet se ka përshkruar detaje për një kërcënim nga Shteti Islamik që lidhet me përdorimin e kompjuterëve laptopë në avionë.
Diskutimi i çështjeve të klasifikuara me një kundërshtar do të ishte i paligjshëm për shumicën e njerëzve, por presidneti ka autoritet të gjerë për të deklasifikuar sekretet qeveritare dhe, rrjedhimisht, zbulimet e tij mund të mos thyejnë ligjin, tha gazeta Washington Post.
Pas raportimeve të mediave, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe këshilltari për siguri kombëtare, H.R. McMaster, lëshuan deklarata duke mohuar çdo gjë të papërshtatshme.
“Presidenti dhe ministri i Jashtëm shqyrtuan kërcënimet e përbashkëta nga organizatat terroriste, përfshirë kërcënimet ndaj aviacionit”, tha McMaster, i cili ka marrë pjesë në takim.
Ai shtoi se në asnjë moment nuk është diskutuar për burime ose metoda të inteligjencës dhe se nuk është zbuluar asnjë operacion ushtarak, për të cilin publiku nuk ka qenë në dijeni.
“Gjatë takimit të presidentit Trump me ministrin e Jashtëm, Lavrov, është diskutuar një gamë e gjerë çështjesh, në mesin e të cilave përpjekjet dhe kërcënimet e përbashkëta, sa i përket luftës kundër terrorizmit. Gjatë këtij shkëmbimi, është diskutuar natyra e kërcënimeve spedifike, por jo burimet, metodat apo operacionet ushtarake”, tha Tillerson.
Por, senatori amerikan, Mark Warner, demokrat në Komitetin e Senatit për Inteligjencë, tha se nëse akuzat janë të vërteta, ato do të ishin “shuplakë në fytyrë” për komunitetin amerikan të inteligjencës.
“Të rrezikosh burimet dhe metodat është e pafalshme, sidomos me rusët”, shkroi Warner në Twitter.
Dik Durbin, po ashtu demokrat në Senat, i cilësoi zbulimet e raportuara si “të rrezikshme” dhe “të pamatura”.
Kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker, republikan, tha se raportet janë “shqetësuese” dhe së Shtëpia e Bardhë duhet të bëjë diçka së shpejti “për ta sjellë veten nën kontroll dhe rend.”
Lidhjet e dyshuara të fushatës së Trumpit me Moskën e kanë ndjekur presidencën e tij prej fillimit dhe janë pjesë e disa hetimeve.