Izraeli planifikon të lirojë 1.977 të burgosur palestinezë, duke përfshirë 290 të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 1.687 të burgosur për akuza të tjera të ndryshme, si pjesë e fazës së parë të një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve dhe armëpushimin në Gaza, e cila do të hyjë në fuqi të dielën, njoftojnë mediat izraelite, transmeton Anadolu.
Tel Avivi do të lirojë të burgosurit palestinezë në këmbim të 33 pengjeve izraelitë që aktualisht mbahen në Rripin e Gazës, sipas të përditshmes “Yedioth Ahronoth”.
Marrëveshja përfshin lirimin e 1.000 të burgosurve palestinezë të ndaluar pas 7 tetorit 2023, si dhe 47 të burgosurve që u arrestuan sërish pavarësisht lirimit të tyre në marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve të vitit 2011.
Shkëmbimi do të kryhet në shtatë faza gjatë 42 ditëve të para, sipas marrëveshjes.
Gazeta izraelite “Haaretz” raportoi sot se në ditën e parë të marrëveshjes do të lirohen tre pengje izraelitë, të ndjekur nga katër në ditën e shtatë dhe tre në ditët 14, 21, 28 dhe 35, me grupin e fundit prej 14 pengjeve që do të lirohen në javën e fundit të fazës së parë.
Një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit konfirmoi se procesi i shkëmbimit pritet të fillojë të dielën pas miratimit nga kabineti i sigurisë dhe qeveria.
Ministria izraelite e Drejtësisë dhe më vonë Shërbimi i Burgjeve i Izraelit do të publikojnë një listë të të burgosurve që do të përfshihen në fazën e parë të marrëveshjes.
Sipas Komisionit Palestinez për Çështjet e të Burgosurve, Izraeli aktualisht mban 10.400 palestinezë, duke përfshirë 600 të dënuar me burgim të përjetshëm.
Të mërkurën vonë, Katari njoftoi një marrëveshje armëpushimi trefazor për t’i dhënë fund mbi sulmeve vdekjeprurëse izraelite mbi 15-mujore në Rripin e Gazës, me armëpushimin e vendosur të hyjë në fuqi të dielën.
Gati 46.800 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 110.000 janë plagosur në luftën gjenocidale të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori 2023, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti në nëntor për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.