Mediat izraelite pretendojnë se Izraeli është angazhuar në komunikime sekrete me regjimin e rrëzuar të Bashar Asadit në vitet e fundit duke përdorur aplikacionin e mesazheve WhatsApp, transmeton Anadolu.
Sipas një raporti të gazetës Yedioth Ahronoth, Izraeli kreu operacione të fshehta për të vendosur kontakte me Asadin dhe rrethin e tij të ngushtë, duke dërguar mesazhe përmes agjentëve të inteligjencës izraelite, duke u paraqitur si “Musa” në WhatsApp. Mesazhet dyshohet se arritën zyrtarë të lartë në Damask.
Një operacion thuhet se synonte të negocionte një marrëveshje sekrete ku Asadi do të ndalonte transferimin e armëve në Liban, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare kundër regjimit të tij.
Raporti vuri në dukje se në fund të vitit 2019, Yossi Cohen, shefi i atëhershëm i Mossad-it, agjencisë së inteligjencës izraelite, ishte planifikuar të takohej me Asadin në Kremlin. Asadi, megjithatë, u tërhoq nga takimi.
Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake, e njohur si Aman, dyshohet se i dërgoi mesazhet ministrit të atëhershëm sirian të Mbrojtjes, Ali Abbas, pas sulmeve ajrore izraelite ndaj objektivave që pretendohet se ishin të lidhura me Iranin ose Hezbollahun në Siri.
Asadi, udhëheqës i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Kjo erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.
Izraeli ka pushtuar territore në Siri, Liban dhe Palestinë për dekada dhe vazhdon të refuzojë thirrjet për t’u tërhequr ose për të krijuar një shtet të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet, bazuar në kufijtë para vitit 1967.