Media shtetërore koreano-veriore: G7 është një “klub lu’fte”, jo ekonomi

Grupi Shtatë (G7) është shndërruar në një “klub lufte” dhe nuk është më një klub i ekonomisë, ka raportuar media shtetërore e Koresë së Veriut, duke hedhur poshtë çdo referencë se blloku përfaqëson komunitetin ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Duke e quajtur G7-tën një “grup kontraktor lufte”, Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) tha se çdo “ndërhyrje” nga blloku në Gadishullin Korean do të nënkuptonte “zgjerimin ushtarak të NATO-s, aleancës globale të luftës”.

Në komentin e saj, media koreano-veriore reagoi ndaj një takimi të ministrave të mbrojtjes të G7-tës në Itali, i pari kë tij lloji, për të cilin Koreja e Veriut tha se ishte e “papërshtatshme” për misionin dhe detyrën e saj.

Ministrat e mbrojtjes të vendeve të G7-tës u takuan të shtunën në Itali, përderisa tensionet vazhdojnë të rriten në Lindjen e Mesme dhe lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon.

Takimi, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, nisi në Napoli të Italisë, qytet i cili gjithashtu posedon një bazë të NATO-s.

Megjithatë, KCNA akuzoi vendet perëndimore se “po punojnë shumë që flakët e luftës në Evropë të përhapen” në Azi duke pretenduar se siguria e dy kontinenteve është e “pandashme”.

Media koreano-veriore po ashtu akuzoi G7-tën për “nxitje” të konfrontimit ndër-kampor duke bërë “vërejtje të pamatura se korniza e sigurisë ndërkombëtare është zhytur në një rrezik më të madh nga shtetet e pavarura dhe sovrane, si Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina”.

Duke reaguar ndaj pjesëmarrjes së Koresë së Jugut në këto samite të NATO-s, si dhe ndaj telefonatës së presidentit së Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, me shefin e NATO-s lidhur me bashkëpunimin e Phenianit me Rusinë, KCNA tha se vendet perëndimore, vendet anëtare të NATO-s dhe vendet anëtare të G7-tës, të cilat janë pjesë e Komandës së OKB-së të udhëhequr nga SHBA-ja, janë “të përfshira drejtpërdrejtë në stërvitjet e luftës për agresionin” kundër Koresë së Veriut.

Presidenti koreano-jugor diskutoi me shefin e NATO-s në fillim të kësaj jave për vendosjen e supozuar të trupave të Koresë së Veriut në Rusi. Moska dhe Pheniani nuk i kanë konfirmuar apo mohuar pretendimet, por Rusia e quajti atë lajm “të rremë” dhe të ekzagjeruar.

Parlamenti rus po ashtu ratifikoi një traktat me Korenë e Veriut, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga Seuli me “shqetësime të rënda”.

Koreja e Jugut ka deklaruar se do ta konsiderojë dërgimin e armëve në Ukrainë si përgjigje ndaj rritjes së lidhjeve ushtarake midis Phenianit dhe Moskës.