Media izraelite publikon audio-regjistrim skandaloz për të birin e Netanyahut

Media izraelite ka publikuar një audio-regjistrim në të cilin i biri i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Yair, ia përmend një shoku të tij me të cilin gjendeshin në një klub striptize “të mirat” që ka bërë Benjamin Netanyahu për babain e tij në lidhje me gazin izraelit, në mënyrë që ta detyrojë atë ta paguajë llogarinë në klub, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat izraelite kanë publikuar një audio-regjistrim, i cili pretendohet se i përket djalit të kryeministrit Netanyahu, Yair, i cili shpesh përmendet për ngjarje skandaloze.

Në audio-regjistrim, i cili u publikua në njërin prej kanaleve më të mëdha televizive të Izraelit, thuhet se dëgjohen zërat e Yair Netanyahut dhe mikut të tij Kobi Maimon, djali i biznesmenit të pasur Ori Maimon, teksa këta të dy fjalosen për atë se kush do ta paguajë llogarinë.

“Ti duhet të paguash për mua. Babai im ka bërë një marrëveshje të mrekullueshme për babain tënd. Ka luftuar për këtë në Knesset (Parlamenti izraelit). Vëlla, babai im ka rregulluar marrëveshje 20 miliardë dollarëshe për babain tënd dhe ti nuk po e vë në zjarr për mua 400 shekelë (rreth 100 euro)?”, dëgjohet në audio-regjistrim teksa, siç thuhet, Yair i drejtohet mikut të tij.

Sipas mediumeve izraelite, avokati i Netanyahut është përpjekur ta parandalojë publikimin e këtij audio-regjistrimi. Në anën tjetër, thuhet se Yair është sjellur në këtë klub striptize me automjet shtetëror dhe në shoqërim të truprojave.

Yair Netanyahu edhe më parë shumë herë ishte kritikuar për shkak të mesazheve me përmbajtje urrejtjeje të publikuara nëpër rrjete sociale kundër krahut të majtë në Izrael.

– Netanyahu është marrë 7 herë në pyetje për korrupsion

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është marrë shtatë herë në pyetje nga policia izraelite për shkak të akuzave për korrupsion. Gruaja e Netanyahut, Sara, gjithashtu është marrë në pyetje nga policia lidhur me akuza për korrupsion.

Netanyahu ka qenë subjekt i hetimeve penale në dy raste të ndara për korrupsion, por ai vazhdimisht i ka mohuar akuzat. Rasti i parë përfshin producentin e Hollywoodit, Arnon Milchan, i cili thuhet se ka kërkuar të blejë artikuj luksozë për Netanyahun dhe gruan e tij. Rasti i dytë ka të bëjë me pohimet se Netanyahu ka bërë një marrëveshje për mbulim të favorshëm të medias me Arnon Mozes, botuesin e gazetës në gjuhën hebraike “Yedioth Ahronoth”.