Organizata Botërore Cioniste (WZO) para 15 vitesh me pa të drejtë mori 500 ari truall palestinez në Bregun Perëndimor, duke ua dhënë më pas në përdorim kolonëve izraelitë.
Siç bëri të ditur gazeta izraelite “Haaretz”, WZO në vitin 2002 u mori palestinezëve truall privat në jug të qytetit Betlehem, ndërsa në këtë rajon sot gjendet lagjja hebreje Ma’aleh Rehavam.
Sipas dokumenteve deri tek të cilat erdhi gazeta izraelite, krerët e WZO-së pa kurrfarë të drejte dhe autorizimi ua morën palestinezëve truallin.
Ndonëse krerët e kësaj organizate nuk kanë dashur të prononcohen mbi këtë çështje, “Haaretz” thekson se marrjen pa të drejtë të truallit palestinez e konfirmoi edhe një zyrtar izraelit i sigurisë, i cili nuk deshi të zbulojë identitetin.
Rreth 500 mijë kolonë hebrenjë banojnë në më shumë se 100 lagje në Bregun Perëndimor të ndërtuara pasi Izraeli okupoi rajonin dhe Jerusalemin Lindor në vitin 1967. Sipas të drejtës ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet në territorin që ka okupuar Izraeli konsiderohen të paligjshme.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga fundi i dhjetorit vitin e kaluar, me abstenim të SHBA-ve, votoi rezolutën 2334 me të cilën urdhërohet urgjentisht dhënia fund i vendbanimeve ilegale hebreje në tokën e okupuar palestineze. Ndaj këtij vendimi reaguan ashpër autoritetet izraelite dhe të njëjtin e vlerësuan si të papranueshëm. /aa/