Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Media iz’raelite: Një dron i He’zbollahut dyshohet se filmoi shtëpinë e Ne’tanyahut

Media iz’raelite: Një dron i He’zbollahut dyshohet se filmoi shtëpinë e Ne’tanyahut

Një dron i Hezbollahut dyshohet se ka depërtuar në veri të Izraelit dhe ka filmuar shtëpinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu në Cezare, raportoi sot e përditshmja “Israel Hayom”, transmeton Anadolu.

Netanyahu dhe familja e tij zakonisht i kalojnë fundjavat në rezidencën e tyre private në Cezare, që ndodhet 37 kilometra në jug të Haifës në bregdetin e Mesdheut.

Sipas gazetës Israel Hayom, një anije raketore e Marinës së Izraelit e vendosur në brigjet e Cezaresë raportoi të premten se një dron i dyshuar po fluturonte në zonë.

Gazeta spekuloi se droni është lëshuar nga Hezbollah për të kapur pamjet e shtëpisë së Netanyahut.

Droni është zbuluar nga radari i anijes raketore, por nuk është kapur nga sistemet e tjera të kontrollit. Pavarësisht alarmeve, avionët luftarakë të dërguar në zonë nuk kanë mundur ta lokalizojnë dronin.

Ushtria izraelite dyshon se mund të ketë qenë një alarm i rremë, duke vënë në dukje se sistemet e radarëve ndonjëherë lëshojnë paralajmërime të rreme, madje edhe për tufat e shpendëve. Megjithatë, ushtria izraelite nuk e ka përjashtuar plotësisht mundësinë e një droni të vogël të lëshuar nga Libani.

Zyra e Netanyahut, në përgjigje të raportimit, deklaroi se ky ishte një “alarm i rremë” dhe sqaroi se kryeministri nuk ishte në shtëpinë e tij në Cezare në atë kohë.

Hezbollahu ka publikuar më parë pamjet e marra nga droni i saj Hodhod, që tregojnë bazat ushtarake izraelite dhe infrastrukturën kritike në Izraelin verior.

Shqetësimet janë rritur për një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut mes një shkëmbimi sulmesh ndërkufitare, veçanërisht pas vrasjes së komandantit të Hezbollahut, Fuad Shukr, në Bejrut më 30 korrik.

Përshkallëzimi vjen në sfondin e sulmeve vdekjeprurëse izraelite në Gaza, ku janë vrarë mbi 40.000 njerëz që nga tetori i vitit të kaluar.

Exit mobile version