Spektakli në Kampionatin Evropian Euro 2020 vazhdon edhe ditën e sotme (e shtunë), ku në program janë tri ndeshje për tu zhvilluar.
Në fakt me këto tri ndeshje përfundon edhe xhiro e dytë e fazës së grupeve në këtë evropian.
Ndeshja e parë në program për tu zhvilluar nga ora 15:00 është ajo mes Kombëtares së Hungarisë dhe Francës, në kuadër të Grupit F.
Hungarezët kanë pësuar humbje në ndeshjen e parë nga Portugalia 0-3, derisa synojnë që të marin pikët e para në këtë evropian përballë Francës e cila e nisi me fitore 1-0 ndaj Gjermanisë.
Takimi mes Hungarisë dhe Francës zhvillohet në Puskas Arena në Budapest.
Nga Budapesti në Munich, ku tri orë më vonë zhvillohet ndeshja tjetër e këtij grupi, mes Portugalisë dhe Gjermanisë.
Portugezët do të futën në këtë takim për rezultat pozitiv, derisa për gjermanët nevojitën vetëm tri pikët që të mbesin në garë për kualifikim.
Ndërkohë ndeshja e fundit që është në program këtë ditë është ajo mes Spanjës dhe Polonisë në kuadër të Grupit E.
Spanja e nisi me barazim fushatën në këtë Euro 2020, derisa polakët pësuan humbje befasuese nga Sllovakia 1-2.
Ndeshja e fundit e ditës së sotme mes Spanjës dhe Polonisë zhvillohet në Estadio de La Cartuja në Sevilla me fillim nga ora 21:00.