Më shumë se 270 fëmijë janë vrarë gjatë një jave nga sulmet izraelite që prej rifillimit të luftës në Gaza, duke shënuar disa nga “ditët më vdekjeprurëse për fëmijët që nga fillimi i luftës”, sipas organizatës Save the Children, raporton Aljazeera.
“Bomba bien, spitalet shkatërrohen, fëmijët vriten dhe bota hesht,” tha Rachael Cummings, drejtoresha humanitare e Save the Children në Gaza. “Asnjë ndihmë, asnjë siguri, asnjë e ardhme.”
Organizata paralajmëroi se rifillimi i luftës është “një dënim me vdekje për fëmijët e Gazës”. Sipas Zyrës së Medias të Qeverisë në Gaza, më shumë se 17,900 fëmijë janë vrarë që nga shpërthimi i luftës në tetor të vitit 2023.
“Fëmijët po vriten në gjumë në çadrat e tyre, po vdesin nga uria dhe po sulmohen pa mëshirë. E vetmja mënyrë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve është një armëpushim përfundimtar,” shtoi Save the Children në deklaratën e saj.
Situata humanitare në Gaza po përkeqësohet me shpejtësi, me spitale jashtë funksionit dhe ndihmat humanitare të bllokuara. Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe për lehtësimin e qasjes në ndihma për civilët e rrezikuar. /mesazhi