Ballina Ekonomi Me paratë e ndara nga Qeveria e Kosovës, Bujanovci bleu aparatura mjekësore,...

Me paratë e ndara nga Qeveria e Kosovës, Bujanovci bleu aparatura mjekësore, ndihmoi familjet në nevojë, ndërmarrjet e vogla dhe bujqit

Qeveria në detyrë e Kosovës kishte ndarë mjete financiare në vlerë prej 500 mijë euro për komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës më 23 prill, ndërkaq Ministria e Financave dhe Transfereve më 29 prill ka njoftuar se shuma prej 500 mijë eurosh për këto komuna është realizuar si transfer ndërkombëtare nga llogaria e Thesarit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Këto mjetë financiare janë ndarë për në mënyrë që tri komunat në Luginë ta përballojnë më lehtë gjendjen e krijuar nga pandemia COVID-19, për çka kanë shërbyer mjaft mirë në këtë aspekt.

Kryetari i komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi ka thënë për Telegrafin se nga ato 200 mijë euro të ndara për këtë komunë nga Qeveria e Kosovës, përveç aparaturave mjekësore, janë ndihmuar edhe familjet në nevojë e personat me nevoja të veçanta.

“Siç është e njohur për opinionin, Qeveria e Kosovës ka ndarë një paketë të ndihmës financiare në vlerë prej 500 mijë euro, për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Komuna e Bujanocit ka marrë 200 mije euro nga kjo ndihmë. Ne kemi orientuar shfrytëzimin e mjeteve për blerjen e një Autoambulance, EKG aparat, spirometër për dispanzerin e mushkrive, Paketë të ndihmës financiare për 177 persona me nevoja të veçanta, 200 paketa me artikuj ushqimorë dhe higjienik, subvencionim të ndërmarrjeve të vogla dhe bujqëve individual”, tha Kamberi në një prononcim për Telegrafin.

Ai tha se qytetarët janë falënderues për këtë ndihmë, duke qenë se për shkak të gjendjes së krijuar, ka rënë edhe inkasimi i të hyrave.

“Të gjithë këto mjete janë ndarë për nevojat e qytetarëve tonë. Sigurisht që qytetarët janë mirënjohës për këtë ndihmë, që në situatë të vështirë për gjithë, e ka ndarë Qeveria e Republikës së Kosovës”, u shpreh Kamberi.

Kamberi tha se Qeveria serbe nuk ka ndonjë program konkret për të ndihmuar komunat, kurse theksoi faktin se kanë 20 për qind zvogëlim të buxhetit.

“Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe mosfunksionimit të rregull të ndërmarrjeve ekonomike dhe mbarë sektorëve të ndërmarrësisë, ka rënë dukshëm edhe inkasimi i të hyrave të rregullta të komunës tonë. Kjo dukshëm do të ndikojë në realizimin e buxhetit të këtij viti. Qeveria në Beograd ka filluar realizimin një ndihmë financiare për sektorin e ekonomisë, nga dy rroga për çdo të puënsuar, por, nuk ka asnjë program konkret për të ndihmuar komunat. Aq me tepër, ne kemi për 20 për qind zvoglim të buxhetit për investimet kapitale që komunave tona iu transferohet përmes Trupit koordinues”, tha Kaberi për Telegrafin.

I pyetur nëse kanë pasur kontakte me institucionet shëndetësore në Kosovë dhe Shqipëri, Këmberi tha se kontakte kanë pasur me me institucionet qeveritare dhe kryetarët e komunave fqinje, Gjilan e Kamenicë m të cilët kanë shkëmbyer informacione. 

Exit mobile version