Më pak se 20 për qind e amerikanëve mbështesin planet e presidentit amerikan Donald Trump, për aneksimin e Kanadasë dhe Grenlandës, referuar një sondazhi të zhvilluar nga “YouGov”, transmeton Anadolu.
Sondazhi u zhvillua me 1.677 shtetas të rritur amerikanë, nga 20 deri më 24 mars dhe vuri në pah se vetëm 19 për qind e amerikanëve janë që SHBA-ja të aneksojë Grenlandën, kur u pyetën nëse janë “në favor apo kundër aneksimit të Grenlandës nga SHBA-ja”.
Numri i të anketuarve që ishin në favor që “Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së”, ishte edhe më i ulët, me vetëm 17 për qind.
Për më shumë, pothuajse gjysma e amerikanëve të anketuar kundërshtuan aneksimin e Grenlandës me 49 për qind, derisa një shumicë e qartë janë kundër marrjes së Kanadasë, me 57 për qind. Rreth një e treta apo 26 për qind janë deklaruar të pasigurt për Kanadanë dhe 32 për qind të pasigurt për çështjen e Grenlandës.
Amerikanët janë të ndarë nëse Trump u fokusua në çështje të rëndësishme gjatë dy muajve të parë të mandatit të tij të dytë, i cili filloi më 20 janar, me 43 për qind që pohuan një gjë të tillë dhe me 45 për qind që besuan se ai u fokusua në çështje më pak të rëndësishme.
Sidomos, që nga marrja e detyrës, Trump përsëriti vazhdimisht idenë e aneksimit të Grenlandës dhe Kanadasë duke reflektuar një retorikë ekspansioniste që synon të vë në pah dominimin e SHBA-së.
Shumë analistë politikë thanë se ai e ka neglizhuar çështjen e “tavolinës së kuzhinës” të cilën e përmendi gjatë fushatës, ku bëjnë pjesë çmimet e sendeve ushqimore, por, u mor me marrjen e territorit të vendeve të tjera.
Përveç amerikanëve, një numër sondazhesh bënë të ditur se kanadezët dhe shtetasit e Grenlandës në masë të madhe janë kundër që të bëhen pjesë e SHBA-së.