Me të ardhurat e siguruara nga një fushatë në Kanada do të mbillen 10 mijë pemë ulliri në Palestinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të fushatës së filluar nga institucioni ndërkombëtar i ndihmës i emërtuar Islamic Relief Canada (IRC), janë mbledhur gjithsej 115.407 dollarë kanadezë donacione.
Në një deklaratë nga IRC thuhet se ullishtoret janë një nga burimet më të rëndësishëm për popullin e Palestinës dhe se me çdo 10 dollarë mund të mbillet një pemë ulliri.
Për shkak të sulmeve shkatërruese të forcave izraelite dhe dhunës nga kolonët fanatikë hebrenj, vitin e kaluar u shkatërruan mbi 9.300 pemë ulliri, theksohet në deklaratë.
“Kjo ndikoi drejtpërdrejt në sigurimin e jetesës së popullit të Palestinës. Për të siguruar jetesën, 100 mijë familje palestineze i besonin mbledhjes së ullinjve. Për të ndihmuar që këto familje të sigurojnë jetesën e tyre ne synojmë të mbjellim 10 mijë pemë ulliri në të gjithë Palestinën. Këto do të jenë një burim i vazhdueshëm bekimi dhe shpërblimi për të gjithë, kur të fillojnë të japin fryte”, thuhet më tej.
IRC vuri në dukje se prej 25 vitesh është dhënë shërbim në terren për nevojat e popullit të Palestinës i cili prej dhjetëra vitesh lufton me bllokadën dhe ndodhet në konflikte dhe se me fushatën e fundit do të prekin jetën e të paktën 130 mijë familjeve palestineze.
Islamic Relief Canada njoftoi se mbjellja e pemëve të ullirit do të fillojnë në vitin 2022 në rajonet që do të përcaktohen në Palestinë. /aa