Ballina Kulturë Feja Më me vlerë se Nata e Kadrit!

Më me vlerë se Nata e Kadrit!

Hoxhë Halil Avdulli

Me afrimin e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, muslimanët në të gjithë botën përgatiten të presin dhe të gjejnë natën e kadrit, me shpresën për të fituar shpërblimin e saj, duke pasur parasysh vlerën e saj „më e mirë se një mijë muaj“.

Askush nga muslimanët nuk mund të imagjinoj që një punë ose një natë mund të jetë e mirë se nata e kadrit, ose e barabartë me statusin e saj dhe shpërblimin për adhurimin në të. Megjithëse ekzistojnë dy thënie të Muhamedit alejhi selam që janë autentike dhe vërtetojnë favorin e mundshëm të një nate mbi natën e kadrit.
Hadithi i parë: Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur me të – thotë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, duke thënë: “Një qëndrim prej një ore për hir të Zotit është më mirë sesa të lutesh natën e kadrit tek guri i zi (në Qabe)”.
Hadithi i dytë: Nga Ibni Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, nga Profeti, paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “A nuk doni t’ju paralajmëroj për një natë më të mirë se nata e kadrit? Një kujdestari që i siguron të tjerët në tokë në një (kohë) frike, mbase edhe nuk shpreson se do të kthehet të familja e tij“.

Këto hadithe korrigjojnë dy kuptime te gabuara të shumë muslimanëve të kësaj kohe:
a) Perceptimi se nata e kadrit ose feja në tërësi është si një farë lloj xhekpoti (jackpot), d.m.th bë çfarë të duash, jeto si të duash, degjenero pa kufij, vidh e korrupto sa të mundesh, me një natë kadrit dhe pak humantitet në televizion e fiton xhennetin.
b) Mohimi i idesë së shpëtimit individual dhe izolimi nga interesi i çështjeve publike të kombit dhe njerëzimit në përgjithësi. Ringjallja individuale e natës së kadrit është më pak shpërblyese sesa kujdestaria për hir të Allahut. Sepse efekti dhe përfitimi i të parë është individual, kurse tek e dyta përfshihet interesi tërë kombit (ymetit).

Tani shtrohet pyetja çfarë është“Ribati“?

Ribat është: Qëndrimi dhe përpjekja për të mbuluar dhe qëndruar në një front apo shteg prej shtigjeve të jetës, ku njerëzit janë të shqetësuar apo frikësuar nga dëmet dhe fatkeqësitë që mund t’i sjell mos mbulimi i këtij fronti apo kësaj fushe, gjithherë për hatër të Zotit.

Në vazhdim po i radhisë disa grupe njerëzish dhe shembujsh që vlejnë për këto dy hadithe të përmendura, dhe që i bën ata të marrin shpërblimin më të madh se të natës së kadrit:

E para: Fronti plotësimit të nevojave dhe lehtësimin e ankthit të njerëzve, sidomos në rrethana të Pandemisë ku miliona njerëz kanë ngelë papunë dhe pa ushqimin e tyre të përditshëm.

E dyta: Fronti i studiuesve, mendimtarëve, arsimtarëve, hoxhallarëve etj., që japin maksimumin për të edukuar brezat mbi bazën intelektuale, fetare dhe shkencore, si dhe bëjnë imunizimin kulturor të rinisë nga tjetërsimi.

E treta: Fronti i shkencëtarëve, ekspertëve të laboratorëve dhe personeli mjekësor, siç janë mjekët, infermierët dhe ndihmës mjekët.
Nëse ushtarët janë ata që ruajnë kufijtë e atdheut, atëherë mjekët janë ata që ruajnë qenien njerëzore, mbrojtjen, kujdesin dhe trajtimin e saj. Ata vërtetë janë ushtria e bardhë siç e përcakton kodi i tyre i veshjes.

E katërta: Fronti i njerëzve të burgosur padrejtësisht të cilët i rezistuan tiranisë dhe korrupsionit. Pas burgjeve të shtypësve janë mijëra të rinj, studiues dhe lexues, ndërkohë që ata janë ndër më të mirët që kombet kanë prodhuar sepse mbi ta nuk ngarkon asnjë krim, përveç që i thanë padrejtësisë, Jo. Ata janë heronjtë që na motivojnë çdo ditë kundër padrejtësisë dhe zullumit që bëhet në vendet tona shpesh si rezultat i heshtjeve tona.

E pesta: Fronti i arenës së mediave të pavarura dhe artit të pastër.
Sot, industria e medias, me mjetet e saj të ndryshme, është një nga industritë më të rrezikshme dhe është arma më e rëndësishme që dikush mund të zotëroj. Ata që punojnë në këtë drejtim, korrigjojnë idetë e gabuara, sigurojnë lajmë të sakta, ofrojnë art të sofistikuar dhe janë një alternativë e vlefshme dhe e dobishme që konsiston në ruajtjen e njerëzve veçanërisht të rinjve që duan të ruajnë identitetin e tyre.

E gjashta: Fronti i gjithë atyre bashkësive islame me xhematet e tyre, sidomos në Evropë që punojnë ditë e natë për t‘i mbajtur gjallë këto xhami si në aspektin infrastrukturor, menaxherial dhe fetar.

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version