Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, sot ka kthyer në Kuvend vendimin për rrëzimin e Teatrit Kombëtar.
Në pikat e renditura për ta arsyetuar mosdekretimin e ligjit, ai ka thënë se ky vendim përbën shkelje kushtetuese.
Këtë deklaratë të presidentit po e shfrytëzojnë Partia Demokratike e Shqipërisë për të hedhur akuza ndaj kryetarit të Tiranës, Erion Veliajt.
Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, ka thënë se i pari i kryeqytetit po i bënë servilin Edi Ramës dhe se ai po e ndihmon triumfin e mafias në Shqipëri.
“Këmbëngulja e Erion Veliajt për zbatimin e projektit korruptiv të Edi Ramës është provë se ai është një kukull në duart e mafias së ndërtimit dhe mafias së drogës”, thuhet në deklaratën e Zhupës, shkruan Albeu.
Zëdhënësja e partisë më të madhe opozitare ka thënë se nëse funksionon drejtësia në vend, Veliaj do të duhej të ishte në burg.
“Për shkeljet flagrante të ligjit dhe Kushtetutës të evidentuara nga Presidenti, një drejtësi e pavarur do ta kishte çuar sot në burg Erion Veliajn për të paktën dy vepra penale, shpërdorim detyre dhe korrupsion”, ka thënë Zhupa.