Ballina Kulturë Feja Me karrocë drejt Haxhit: Rrëfimi i 34-vjeçarit nga Vushtrria, ëndrra e të...

Me karrocë drejt Haxhit: Rrëfimi i 34-vjeçarit nga Vushtrria, ëndrra e të cilit tanimë është realitet

Mufail Jashari, 34 vjeçar nga fshati Pestovë, komuna e Vushtrrisë, që nga koha kur ka filluar të falet në vitin 2008, ka pasur dëshirë të shkojë në Haxh. Por si person me nevoja të veçanta, si dhe mundësitë e kufizuara financiare, kjo ka qenë e pamundur – së paku deri më tani.

Mirëpo kjo dëshirë i është plotësuar, pasi që këtë vit ai do të shkojë në Haxh me përcjelljen e hoxhës së fshatit dhe me ndihmën financiare të një biznesmeni nga fshati.

I lumtur që i është plotësuar kjo dëshirë, ai ka thënë se shpreson që do të kënaqet.

“I jam lutur Zotit (Allahu), i jam lutur me zemër dhe i kam thënë “O Allah mundësoma të shkoj në Qabe”. E falenderoj Allahun që më ka mundësuar që më 2019-n të shkoj në Haxh. Do të kënaqem me të gjitha të mirat, me shoqëri, me hoxhën. Kam dëshirë të jem i qetë, të jetoj i lumtur me familje dhe me të gjithë myslimanët e tjerë. Të flasim mirë, të mos e lëndojmë askënd me fjalë dhe inshalla Zoti na pranon lutjet e Haxhit që do të shkojmë”, ka thënë ai për Radio Evropa e Lirë.

Pasi që nuk mund të shkojë vetë, Mufailin do ta shoqërojë imami i fshatit Pestovë, Faton Jusufi.

Jusfi ka thënë se gëzimi i Mufailit është aq i madh sa që mezi pret të niset.

“Më telefonoi (biznesmeni) dhe më tha se ka shprehur dëshirën që Mufailin ta dërgojë në Haxh. Pastaj shkuam ta regjistrojmë në Këshillin e Bashkësisë Islame të Vushtrrisë, dhe aty jemi interesuar, dhe na kanë treguar se pa pasur një përcjellës nuk mund as ta regjistrojmë. Unë shpreha dëshirën ta marr Mufailin dhe të shkojmë në ato vendet e shenjta t’i vizitojmë. Gëzimi i tij është aq i madh, që nga muaji i madhërishëm i Ramazanit kur i kemi treguar Mufailit – ky mezi pret që të nisemi”, ka thënë ai.

Ndryshe nën organizimin e Kryesisë së BIRK-ut për vende të shenjta për të kryer haxhin këtë vit do të udhëtojnë 1.080 besimtarë, në mesin e të cilëve 370 janë gra.

Grupi i parë i haxhinjve janë nisur nga Prishtina më 31 korrik, për të vazhduar pastaj me datë 1, 2 dhe 3 gusht kur do të niset edhe ekipi i fundit i haxhinjve drejt vendeve të shenjta.

Çmimi i haxhit për besimtarët kosovarë këtë vit është 4.150 euro.

Exit mobile version