Hëna është 40 milionë vite më e vjetër se sa kishin menduar shkencëtarët. Kështu thuhet në një studim të ri të publikuar në “Geochemical Perspectives Letters”.
Ata analizuan kristalet e sjella në Tokë nga astronautët e Apollo në vitet 1969-1972 për të zbuluar periudhën e formimit të satelitit tonë. Gjatë misioneve të Apollo, astronatutët grumbulluan copa shkëmbore, guralecë, rërë dhe pluhur nga sipëfaqja e hënës ndërsa për studimin u përdorën kampionët nga misioni i fundit i Apollo 17.
Këta kampionë përmbajnë kristale zirkoni të formuara miliarda vjet më parë për të cilët shkencëtarët thonë se janë tregues kyç për kohën kur duhet të jetë formuar hëna.
Ata besojnë se hëna mund të jetë krijuar nga goditja e Tokës prej një trupi qiellor me madhësinë e Marsit dhe energjia e çliruar ka shkrirë shkëmbin i cili më vonë është kthyer në sipërfaqen e hënës.
Kristalet, të cilat janë “materialet e ngurta më të vjetra deri më tani” që u formuan pas përplasjes, tregojnë se hëna është të paktën 4.46 miliardë vjeçare, thotë profesori Philipp Heck nga Universiteti i Çikagos.
Kristalet duhet të jenë formuar pas ftohjes së oqeanit të magmës dhe përcaktimi i vjetërsisë së tyre mund të zbulojë moshën e mundshme të hënës.
Shumë prej atomeve të kristaleve kanë pësuar dekompozim radioaktiv, një proces gjatë të cilit humbasin protone dhe neutrone.
Shkencëtarët kanë përcaktuar kohëzgjatjen e këtij procesi dhe duke parë proporcionet e izotopeve të uraniumit dhe plumbit dhe rrjedhimisht kanë dalë në një përfundim të ri për moshën e hënës.