Ballina Autorë ME DR. SHEFQETIN

ME DR. SHEFQETIN

Shkruan: Ekrem Avdiu

U hamenda për një çast ta quaj doktor apo Shefqet. Duke qenë se fjalët e mia janë kundër euforisë dhe veprimeve euforike nuk e quajta thjesht doktor. Shefqetin e njoh prej kur ishim studentë, por duke qenë se ishte më i madh se unë, nuk munda ta quaj thjesht Shefqet.

Përkrahja që i ofrojmë hoxhës së nderuar nuk është qëndrim karshi drejtësisë e as institucioneve që e përfaqësojnë atë, por është shprehje e indinjatës kundër padrejtësisë, insinuatave, shpifjeve dhe fushatave linçuese që në shoqërinë tonë bëhen dhe orkestrohen duke i dalë para edhe vet drejtësisë.

Përkrahja është kundërshtim i ashpër kundër tradhëtisë, goditjeve të ulëta (dhe nën brinj) që dikush i praktikon dhe ekzekuton poshtërsisht duke i “hyp shqelma njeriut të rrëzuar”.
Ajo që duhet përkrahur më shumë se personi i dr Shefqetit është korrektësia, respektimi i të drejtës dhe dinjitetit të tjetrit. Duhet mos harruar faktin se dyshimi, hetimet por edhe aktakuza, nuk e bëjnë njeriun fajtor. Juridikisht, edhe gjykimi i shkallës së parë nuk e bën të këtillë. Pra, sipas rregullit, secili mbetet i pafajshëm derisa të mos vërtetohet e kundërta, fajësia e tij.

Ajo që mund ti shkaktojë pasoja dhe dëme edhe vet drejtësisë është ndërtimi i qëndrimeve mbi baza të paragjykimeve apo edhe inateve personale. “Munafikitë” e ndryshme që kryesisht vijnë si rrjedhojë e shpirtngushtësisë e që rezultojnë me paaftësinë e disave për të menaxhuar inatet, çojnë deri te tejkalimi i kufijve të korrektësisë të cilën Zoti i Madhëruar na e urdhëron edhe kur janë në pyetje armiqtë e haptë e lere më miqtë e afërt dhe vëllezërit e besimit, me të cilët mund të kemi dallime në pikëpamje dhe qëndrime por që assesi nuk arrijnë nivelin e armiqësisë.

Drejtësia le të bëjë drejtësi, ne le ti shohim punët dhe detyrat tona, ndërsa hoxha i nderuar le të vazhdojë që njerëzve tua mësojë atë që u bën dobi.

Exit mobile version