Ministri i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, ka thënë se Polonia do të ketë “forcat tokësore më të fuqishme në Evropë” falë investimeve të vazhdueshme nga qeveria, e cila kohët e fundit ngriti buxhetin e saj të mbrojtjes në 3 për qind të PBB-së, një nga nivelet më të larta në NATO, dhe synon të rrisë deri në 5 për qind.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Varshava është fokusuar në shpenzime ushtarake. Të premten, Blaszczak konfirmoi marrëveshjen me Korenë e Jugut sipas së cilës Polonia do të blejë mbi 600 obus dhe gati 1000 tanke. Gjithashtu kohët e fundit ra dakord të blejë 250 tanke të reja dhe 116 të përdorura Abrams nga SHBA-ja.
Për krahasim, Gjermania ka 266 tanke beteje në shërbim dhe Franca 406, sipas Global Firepower, i cili përmbledh të dhënat e fuqisë ushtarake.
Sipas ligjit të ri të mbrojtjes së atdheut të miratuar në mars me mbështetje ndërpartiake, Polonia është zotuar gjithashtu të dyfishojë numrin e forcave të saj të armatosura në 300 mijë. Në maj, ajo filloi një formë të re me pagesë të shërbimit vullnetar ushtarak në një përpjekje për të sjellë rekrutë. /koha