Më 2 dhjetor seanca, VV pret që Kushtetuesja ta rrëzojë qeverinë Hoti

Të mërkurën e 2 dhjetorit, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë publike online për rastin e votës së deputetit Etem Arifi dhënë për formimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hoti.

Lëndën e ka parashtruar partia Lëvizja Vetëvendosje që për një periudhë disamujore dërgoi në Kushtetuese rekord katër ankesa, përfshirë edhe këtë për “rastin Arifi”.

Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, thotë se ata presin që organi më i lartë juridik i shtetit të marrë vendim në favor të kërkesës së tyre dhe Qeveria Hoti të bie sapo që vota e deputetit [Etem] Arifi të shpallet jokushtetuese.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka edhe tre lëndë të depozituara në Kushtetuese – njëra për kushtetushmërinë e votës së deputetit Haxhi Shala dhe dy tjera ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Nga këto dy të fundit, njëra lëndë është për rastin kur tani ish-presidenti Thaçi bëri thirrje për mosdëgjueshmëri ndaj masave anti-COVID-19 që i kishte prezantuar Qeveria e Albin Kurtit dhe tjetra për moscaktimin e datës së zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës.

Për lëndën e fundit, Gjykata Kushtetuese tashmë ka një vendim që nuk është publikuar i tëri.

“Gjykata në vijim konkludoi se në rastin konkret, (i) përderisa arsyeja për të cilën është kontestuar Vendimi i Presidentit, d.m.th. Shtyrja e zgjedhjeve në afat të pacaktuar, më nuk qëndron; dhe (ii) përderisa efekti i shkeljes eventuale të nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 3 të Protokollit 1 të KEDNJ-së për shkak të atyre rrethanave është adresuar me përcaktimin e datës së re të zgjedhjeve (përkatësisht më 29 nëntor 2020), Gjykata konsideron se rasti konkret nuk përfshin ndonjë rrethanë të veçantë lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut të përcaktuara me Kushtetutë dhe Konventë”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.