“Ju lutem, mos e keqpërdorni këtë mirësi, në mënyrë që nevojtarët të mund të përfitojnë prej saj”.
Një apel që nuk u dëgjua kudo.
Menaxherët shqiptarë hoqën dorë nga piceria “Toscana” në Greifensee të Cyrihut, të cilët vitin e kaluar u bënë lajm i mediave, sepse ofruan falas ushqimin për ata që kishin nevojë.
“Shumë njerëz fatkeqësisht e keqpërdorën veprimin tonë”, thotë për “Blick” Gino Ramadani (40), i cili udhëhoqi restorantin së bashku me gruan e tij, Elvirën (37).
“Disa ishin madje të pacipë. Kishte njerëz që nuk kishin nevojë për ushqim falas, por insistonin në një ëmbëlsirë të lirë ose në një shishe të lirë”, shton ai, transmeton Albinfo.ch.
Ramadani nuk kërkoi para, edhe pse këta mysafirë nuk kishin nevojë për ushqime falas.
Përkundër kësaj, Ramadani nuk pendohet për aksionin e ndarjes së ushqimit falas.
“Kam pasur shumë reagime pozitive dhe kam njohur shumë njerëz të mirë. Kishte shumë miq, të cilët kishin ngrënë falas në restorantin tim”, thotë Ramadani.
“Jam krenar që kam ofruar më shumë se 3000 ushqime falas”, thotë Ramadani, i cili kishte regjistruar humbje me këtë aksion deri 60 mijë franga.
“Tani kemi gjetur një qiramarrës të ri për ta marrë menaxhimin e restorantit”, theksoi ai.
Ramadani nuk ishte në gjendje të thotë nëse pronari i ri do të vazhdojë aksionin e njëjtë. Por, ai e di se “restoranti do të jetë në duar të mira”.