Lojrat Olimpike ulin siparin e tyre me një ceremoni madhështore, plot ngjyra, drita e ritëm. 10500 atletë garuan mes tyre në këtë ngjarje të madhe sportive që i bashkon popujt në mbarë botën në një “luftë” të drejtë për medalje.
Për herë të parë në histori, Kosova mori pjesë si e barabartë me vendet tjera, duke fituar kështu një medalje ari.
Majlinda Kelmendi ishte protagonistja nga Kosova, që na bëri krenar me përformancën e saj në garën e Xhudos deri në 52 kilogram, ku i mposhti të gjithë kundërshtarët, për t’i sjellë vendit të saj medaljen e parë olimpike, që në pjesëmarrjen e parë. Ceremonia e mbylljes së Olimpiadës ishte mundësia e dytë për të festuar në Rio de Zhaneiron spektakolar.
Gjatë saj u bë një retrospektivë e 16 ditëve të përjetuara në të gjitha ambientet sportive, ku u shfaqën momentet më kulminante dhe më të bukura.
Flamurin e Kosovës në ceremoninë përmbyllëse të olimpiadës e ka bartë atletja, Vijona Kryeziu.
SHBA i prinë listës së medaljeve me plot 121 të fituara, pas saj renditen Britania dhe Kina.
Kosova pozicionohet e 54-ta, duke lënë mbrapa shtete si Portugalia, Finlanda, Egjipti, Izraeli e Austria.
Lojërat e ardhshme olimpike do të mbahen në Tokio në vitin 2020.