Në ditën e 157-të të operacionit “Mburoja e Eufratit” i cili po vazhdon kundër objektivave terroriste në veri të Sirisë, Forcat e Armatosura Turke kanë marrë nën ofensivë 272 objektiva të DEASH-it dhe kanë neutralizuar 22 terroristë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Shtatmadhoria e Turqisë, ende është duke vazhduar operacioni i nisur më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë i cili synon mënjanimin e rrezikut të kanosur nga organizatat terroriste me në krye DEASH, rritjen e sigurisë kufitare dhe mbështetjen ndaj forcave të koalicionit.
Në kuadër të operacionit, janë goditur 272 objektiva të detektuara të organizatës terroriste DEASH.
Komanda e Forcave Ajrore ka ndërmarrë operacion ajror ndaj objektivave të detektuara të DEASH-it në rajonet El Bab dhe Bzagah, gjatë të cilit janë asgjësuar 21 ndërtesa të përdorura si strehimore, dy seli dhe një depo armësh.
Në kuadër të operacionit ajror janë neutralizuar 22 pjesëtarë të DEASH-it, ndërkohë që janë asgjësuar katër autobomba që i përkisnin organizatës terroriste. Ekipet e detektimit dhe asgjësimit të mjeteve shpërthyese, të cilët ofrojnë mbështetje për opozitarët, kanë asgjësuar 73 bomba artizanale.
Që nga dita e fillimit të operacionit deri më tani janë neutralizuar 3.282 bomba artizanale dhe 55 mina. Bëhet e ditur që Forcat e Armatosura Turke kanë treguar kujdesin maksimal me qëllim që të mos pësojë dëme popullata civile që jeton në rajon.