Një Palestinë e pavarur me kufijtë e saj të para vitit 1967 është e vetmja shpresë për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, deklaroi sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“E vetmja mënyrë për zgjidhje të përhershme të paqes në Lindjen e Mesme është një Palestinë e lirë dhe e pavarur me kryeqytet Jerusalemin Lindor”, tha ai gjatë një takimi për Jerusalemin që po mbahet në Stamboll.
“Paqja në rajon është e pamundur pa e shëruar këtë plagë të Lindjes së Mesme”, shtoi më tej Erdoğan.
Shumë shtete, në mesin e të cilave edhe Turqia kanë bërë thirrje për një zgjidhje “dy shtete”, të bazuar në kufijtë që kanë ekzistuar para vitit 1967, atëherë kur gjatë luftës arabo-izraelite ky i fundit okupoi Bregun Perëndimor, Ripin e Gazës, Lartësirat e Golanit dhe Gadishullin e Sinait.
Erdoğan tha gjithashtu se situata palestineze ka paraqitur bazë edhe për tensione të tjera në rajon për të shtuar se “politikat e represionit kundër vëllezërve palestinezë që datojnë nga vitit 1948 janë në rritje e sipër”.
Presidenti Erdoğan kritikoi Kombet e Bashkuara se kanë dështuar plotësisht në zgjidhjen e kësaj çështjeje tejet të rëndësishme.
“Të përqafosh çështjen e Palestinës, të mbrosh Jerusalemin, është detyrë e përbashkët për të gjithë muslimanët, një detyrim i përbashkët”, tha Erdoğan si kundërpërgjigje ndaj propozimit izraelit për të ulur zërin gjatë thirrjes së Ezanit.
“Ku është OKB-ja ndërsa Sirinë e ka kapluar vdekja?”
Presidenti Erdoğan, deklaroi gjithashtu se konsideron se në Siri janë vrarë rreth një milion njerëz, dhe se i gjithë vendi ende është i kapluar nga vdekja.
“Aktualisht flitet për rreth 600.000 viktima, por unë mendoj se në Siri janë vrarë rreth një milion njerëz. Vdekja vazhdon ta kaplojë Sirinë. Vrasjet vazhdojnë dhe nuk merret parasysh nëse vriten fëmijë, gra apo burra. Ku është tani OKB-ja, çfarë bën? Mos ndoshta (OKB) është në Irak? Jo, nuk është. Ishim të durueshëm aq sa ishte e mundur, pastaj u detyruam të futemi në Siri dhe të ndihmojmë Ushtrinë e Lirë Siriane. Pse kemi hyrë? Jo për të prekur territorin e dikujt, vendin e dikujt, por që ky vend ti përkiste atyre që janë pronarët e vërtetë të saj. Pra, ne jemi aty për të mbështetur vendosjen e drejtësisë. Ne u futëm atje vetëm për t’i dhënë fund sundimit të dhunuesit dhe keqbërësit Assad, i cili po mbjell terror në emër të shtetit”, tha Erdoğan.