Mbrojtja Civile e Gazës paralajmëron për “më të keqën” nëse Izraeli nuk mbahet përgjegjës për vrasjen e mjekëve

Pas publikimit e videos që tregon sulmin izraelit ndaj një grupi mjekësh palestinezë në mars, ku u vranë 15 punonjës të urgjencës, reagimi ndërkombëtar ka qenë i ashpër. Pamjet filmike, të cilat hedhin poshtë versionin zyrtar të Izraelit, tregojnë qartë automjetet e emergjencës të pajisura me shenja dalluese, punonjësit me jelekë reflektues dhe drita të ndezura.

Tani ka thirrje për një hetim të plotë ndërkombëtar, duke e cilësuar këtë akt si një krim lufte.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal, paralajmëroi për pasoja të rënda nëse komuniteti ndërkombëtar nuk vepron:
“Pasojat për ne si popull palestinez janë tepër të rënda, veçanërisht për punonjësit e ndihmës, paramedikët dhe ekipet e Mbrojtjes Civile,” tha ai për Al Jazeera.
“Nëse fajtorët nuk ndëshkohen dhe Izraeli vepron pa ndëshkim, do të ketë më shumë krime lufte dhe masakra mbi popullsinë tonë.”

Basal theksoi se nëse sulmet ndaj punonjësve të emergjencës vazhdojnë, ndihma humanitare do të paralizohet plotësisht.
“Ne kemi frikë se e ardhmja do të jetë edhe më e keqe. Do të vriten më shumë paramedikë dhe punonjës shpëtimi. Popullsia do të mbetet e pambrojtur dhe ndihma nuk do të arrijë te ata që kanë nevojë,” shtoi ai.

Ai u bëri thirrje organizatave të të drejtave të njeriut dhe institucioneve ligjore ndërkombëtare që të marrin masa të ashpra kundër ushtrisë izraelite.
“Unë mbaj këtë jelek për mbrojtje – ai përfaqëson një simbol nën të drejtën ndërkombëtare humanitare. Nëse nuk respektohet më, çfarë do të mbetet për ne që përpiqemi të shpëtojmë jetë?” përfundoi Basal. /mesazhi