Ballina Lajmet Kosovë Mbrohet në heshtje i akuzuari për krime lufte në Kosovë

Mbrohet në heshtje i akuzuari për krime lufte në Kosovë

Ka përfunduar procedura e provave ndaj të akuzuarit Ekrem Bajroviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth.

Dosja e prokurorisë thotë se Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Në seancën e sotme, i akuzuari Bajroviq vendosi të mbrohet në heshtje, shkruan Kallxo.com.

“Jam konsultuar me mbrojtësit tim. Jam marrë në pyetje dy ditë tek prokurori, dhe aty i kam dhënë të gjitha përgjigjet e qarta. Në konsultim me mbrojtjen time, nuk kam çka të deklaroj tjetër dhe dua të mbrohem në heshtje”, u shpreh i akuzuari Bajroviq para trupit gjykues në seancën e datës 03.07.2024.

Pasi i akuzuari u mbrojt në heshtje, i dëmtuari, 86 vjeçari Daut Elshani i dha gjykatës 3 fotografi të djemve të tij të vrarë në fshatin Staradran, në maj të vitit 1999, e për të cilën thotë se atë ditë kur djemtë e tij janë vrarë, i akuzuari ka qenë i armatosur në atë vend, atë ditë.

Daut Elshani ka dhënë dëshmi para kësaj gjykate dhe ka rrëfyer për momentet se si i ishin marrë djemtë e tij, si kishte shpresuar se do të shpëtonin, e deri tek kërkesa për drejtësi që pati ndaj gjykatës.

“Këta [të akuzuarin] nuk e kom pa tuj sjellë. Ata tjerët po. Ky ka qenë i armatosur. Ka qenë në mbrojtje të tyre. Ky e din kush e ka vra konin. Unë nuk dal prej sallës pa më kallxu kush i ka vra djemtë. Ky i fortë unë i lig, ky le t’knon unë po kaj. Se ma ka mshelë derën me therr. Nuk asht kollaj me t`i vra 3 djem pa hak, pa hile. E vëllai i katërti, Naimi i pesti. A pat shpirt kush? Asht gjynah, gjynah asht prej Zotit” – kishte thënë dëshmitari Elshani në seancën e datës 27.06.2024.

Sot, u administruan provat e prokurorisë dhe ato të mbrojtjes ku përfshihen; Dosja teknike kriminalistike e datës 27.10.2022, Raporti i vendit të ngjarjes të datës 27.10.2022, Foto-albumi i datës 27.10.2022, Raporti informues i datës 16.01.2023, Raporti informues i datës 18.05.2023, Video incizim nga vendi i ngjarjes [u konstatua i shikuar], Raporti informues i datës 19.10.2022, Raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes të datës 27.10.2022, 19 procesverbale të identifikimit të të dyshuarit përmes fotografisë, certifikata të vdekjes së viktimave që tregojnë kohën dhe vendin e vdekjes, si dhe provat e mbrojtjes që ishin një aktgjykim i gjykatës themelore me numër. P.nr.1060 të datës 22.03.2022, vërtetimin mbi pronësinë, si dhe një deklaratë e policisë së Vitomericës më të akuzuarin si i dëmtuar të datës 04.02.2019.

Ky gjykim do të vazhdojë me dhënien e fjalëve përfundimtare të palëve.

Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje penale përbëhet nga Mentor Bajraktari – kryetar, anëtarët Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ekrem Bajroviq?

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në Istog dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradran më 08.05.1999 kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë djemtë e burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilën kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë. Vetëm një prej tyre kishte mbijetuar, ndonëse i plagosur.Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 07.05.1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakovc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakovc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq me nacionalitet boshnjak, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psikike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.

Exit mobile version