Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson arriti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, për një vizitë zyrtare ku u takua me mbretin saudit Salman bin Abdulaziz, transmeton Anadolu Agency (AA).
Arabia Saudite është pikë ndalesa e parë e turneut të Tillerson në vizitën e tij në Lindjen e Mesme, Azinë Jugore dhe Evropën.
Agjencia saudite e lajmeve SPA njoftoi se Mbreti Salman priti sot kreun e Departamentit amerikan të Shtetit Tillerson në Pallatin Yemame në Riad ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale.
Tillerson gjithashtu do të takohet edhe me shefin e diplomacisë saudite, Adil al-Jubair, si dhe do të marrë pjesë në Këshillin e Bashkëpunimit Saudito-Irakian, ku gjithashtu do të marrin pjesë edhe kryeministri i Irakut, Haidar al-Abadi.
Pas Riadit, Tillerson do të vizitojë kryeqytetin e Katarit, Doha, dhe me udhëheqësit e atjeshëm do të diskutojë mbi situatën në rajon.
Pakistani dhe India janë destinacionet e radhës të cilat Tillerson do t’i vizitojë, kurse në të kthyer në SHBA do të qëndrojë në Gjenevë.