Mbreti saudit: Po ndjekim me një shqetësim të madh politikat e regjimit të Iranit

Salman bin Abdulaziz Al Saud

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al Saud, ka deklaruar se po ndjekin me një shqetësim të madh politikat e regjimit të Iranit që sipas ij “tronditin besimin dhe stabilitetin në rajon”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve SPA vendit, mbreti Salman në një fjalim me rastin e fillimit të punimeve të Këshillit të Kuvendit tërhoqi vëmendjen mbi politikat lokale dhe ndërkombëtare të Arabisë Saudite.

Mbreti Salman nënvizoi se i kushtojnë rëndësi mbrojtjes së pranisë tërësore të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) dhe se kjo është provuar në Samitin e 41-të GCC-së që vendi i tij organizoi më 5 janar 2021, i cili shërbeu për afrimin sërish me Katarin me të cilin kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike që nga 5 qershori 2017.

Gjithashtu në fjalën e tij mbreti saudit theksoi se kauza e Palestinës ndodhet në krye të çështjeve parësore në politikën e jashtme të Arabisë Saudite.

“Irani është një vend fqinj, dhe për këtë arsye shpresojmë që të marrë një rrugë drejt dialogut dhe bashkëpunimit duke ndryshuar politikën dhe veprimet e tij negative që ka treguar në rajon. Po ndjekim me një shqetësim të madh politikat e regjimit të Iranit që tronditin besimin dhe stabilitetin në rajon. Regjimi i Iranit formon dhe mbështet grupet militante të armatosura sektare dhe përhap në mënyrë sistematike fuqinë e tij ushtarake në vendet e rajonit”, deklaroi ndër të tjera mbreti Salman.

Duke u shprehur se qeveria e Teheranit nuk tregon qasje për bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar lidhur me zhvillimin e programit bërthamor dhe të raketave balistike, mbreti Salman tha se Irani ashtu sikurse zgjat luftën duke mbështetur Houthitë që luftojnë kundër qeverisë në Jemen, përbën një kërcënim edhe për Arabinë Saudite.

Mbreti i Arabisë Saudite deklaroi se mbështesin të gjitha përpjekjet e fokusuara për zgjidhje politike që sigurojnë unitetin e vendit në Siri dhe në Libi dhe se ndjekin nga afër edhe zhvillimet në Afganistan. /aa