Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi ka thirrur sot takimin e Komitetit të ShSKUK-së për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, pas rritjes së rasteve të reja të infeksionit me koronavirus dhe rritjes së rasteve të spitalizuara.
Në takim u analizua situata e fundit pas rritjes së rasteve të spitalizuara dhe u kërkua ri- mobilizimi për përballimin e valës eventuale që mund të shoqërohet me rritje të mëtejme të spitalizimeve.
“ShSKUK është dëshmuar tashmë me menaxhimin e pandemisë dhe siguron qytetarët e vendit se do të mobilizojë të gjitha resurset në dispozicion për tē përballuar çdo valë të mundshme”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu, bëhet e ditur se kapacitetet infrastrukturore, pajisjet mjekësore, furnizimet me barna dhe material mbrojtës për personelin shëndetësorë, janë disa nga temat e diskutuara në takim.
Në takim u konstatua edhe njëherë mungesa në disa fusha spcialistike, si anesteziologë, infektologë, pulmologë, e në mënyrë të veçantë nevoja për anagzhim urgjent të stafit shtesë infermieror.
Lidhur me menaxhimin e Pandemisë, drejtori i ShSKUK-së ka ftuar për nesër nē takim në orën 08:00 edhe drejtorët e Spitaleve të Përgjithshme.