Ballina Autorë Opinione Mbi policentrizmin e çështjes shqiptare

Mbi policentrizmin e çështjes shqiptare

Enis Sulstarova

Në kujtim të prof. Fehmi Aganit, për 25-vjetorin e rënies

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Kombi, demokracia dhe vetëvendosja

Hartuesit e veprës së Fehmi Aganit i kanë grupuar publicistikën dhe referatet shkencore të autorit lidhur me çështjen shqiptare në vëllimin e tretë, të cilin e kanë titulluar “Demokracia, kombi, vetëvendosja”. Nuk mund të gjendej titull më i goditur për të përcjellë te lexuesit jo vetëm mesazhin qendror të vëllimit, por edhe atmosferën e fundit të viteve të ’80-ta dhe gjysmës së parë të viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar. Sistemi komunist e kishte humbur betejën me demokracitë perëndimore dhe vala e demokratizimit të gjysmës lindore të Europës po e rrënonte sistemin federativ jugosllav. Edhe pse socializmi jugosllav ofronte më shumë liri sesa sistemet socialiste në Shqipëri, Rumani ose vetë Bashkimin Sovjetik dhe paçka se Titoja ishtë përpjekur që të ruante një pozitë midis dy kampeve të Luftës së Ftohtë, Jugosllavisë së dytë i ishte sosur koha. Alternativat ishin ose një trajtë konfederalizimi midis republikave ose pavarësia e plotë e tyre. Mirëpo, konfederata jugosllave nuk mund të realizohej pa e adresuar statusin e krahinave autonome, posaçërisht asaj të Kosovës, ku popullata shqiptare ishte shprehur masivisht për statusin e republikës, dhe as pa e trajtuar statusin e popullatave “pakicë” në secilën prej republikave. Ishte vetë fryma demokratike ajo që e ngjallte vullnetin për vetëvendosje të popujve. Në përgjigje të këtyre sfidave, politika serbe, me në krye Millosheviqin, zgjodhi t’i kundërvihej idesë së konfederatës me një federatë të dominuar nga serbët; idesë së republikave të pavarura me krijimin e “Serbisë së Madhe”, që do të thoshte rivizatim të kufijve shtetërorë; ndërsa idesë së demokracisë iu kundëvu me shpërthimin e luftërave në Slloveni, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, si dhe me aparteid institucional në Kosovë.

Nëpër faqet e librit të Aganit gjejmë reflektime për pozitën e nënshtruar të shqiptarëve në Jugosllavi; për perspektivat politike që hapeshin para tyre me rënien e komunizmit dhe me demokratizimin e jetës politike e shoqërore; por edhe për rreziqet që u kanoseshin nga shovinizmi serb. Me ndezjen e luftës, shqiptarët gjendeshin jo vetëm të përçarë në tri republika, por edhe pa ndonjë mbrojtje juridike kolektive, sepse pozita më e avancuar që ata e kishin fituar deri atëherë, autonomia e Kosovës, ishte anuluar. Ata ishin kudo “pakicë” dhe, siç shkruan Agani, “në mendimin dhe praktikën serbo-shoviniste… të jesh pakicë do të thotë të mos jesh në vendin tënd, të jesh në shtet të huaj dhe në mëshirë të huaj” (“Vepra 3”, Prishtinë, 2002, f. 9). Shqiptarët ishin popull, mirëpo e drejta e tyre për vetëvendosje u ishte mohuar gjatë Luftës së Dytë Botërore prej AVNOJ-it dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë. Krerët e komunistëve jugosllavë dhe PKSH-ja kishin rënë dakord që çështja shqiptare të gjente zgjidhje pas luftës, që në realitet donte të thoshte “të viheshin shqiptarët përpara një akti të kryer dhe në situatë e raport forcash kur nuk do të mund ta realizonin vetëvendosjen” (po aty, f. 32). Jo vetëm Lidhja e Dytë e Prizrenit, por as Konferenca e Bujanit, nuk do të pranoheshin si shprehje e vullnetit politik të shqiptarëve në Jugosllavi për t’u bashkuar me Shqipërinë. Në mënyrë paradoksale, thotë Agani, shqiptarët i detyruan të heshtnin për Konferencën e Bujanit, por ishin pushtetarët komunistë serbë ata që, duke dashur të zhbëjnë vendimet që u morën në Bujan, i sillnin herë pas herë në vëmendje dhe i bënin jehonë vullnetit politik të shqiptarëve, për t’u ndarë nga Jugosllavia (po aty, f. 39-40).

Agani, me të drejtë, vëren se, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, “Kosova në federatë ishte faktikisht thuajse e barabartë me republikat” (f. 33), mirëpo “faktikja” nuk u shndërrua dot në “juridike”, prandaj fjala “thuajse” mjaftoi që edhe autonomia e Kosovës të anulohej njëanshëm nga Republika e Serbisë dhe të mos mbrohej dot në nivelin federativ. Në këto kushte, shqiptarëve u duhej ta riformulonin projektin e tyre politik. Sipas Aganit, në fillim të viteve të ’90-ta, “programi kombëtar i shqiptarëve në themel është reduktuar në kërkesën për: (a) Republikën sovrane dhe të pavarur të Kosovës; (b) për njohjen e statusit shtetformues të shqiptarëve në Maqedoni dhe (c) pranimin e statusit autonom ose special për shqiptarët në Serbi dhe Mal të Zi, në rajonet ku përbëjnë shumicën e popullsisë” (po aty, f. 143; kursivi ynë). Këto kërkesa pohonin të drejtat kolektive të shqiptarëve, por e njihnin realitetin e republikave që kishin trashëguar kufijtë e kohës së Jugosllavisë dhe që tani ishin ose aspironin të ishin, të pavarura. Siç shkruante Agani, “shqiptarët plotësisht e respektojnë realitetin e ri politik në territorin e ish-Jugosllavisë. Ata nuk synojnë shkatërrimin e shteteve të reja, p.sh. të Maqedonisë. Mirëpo, pavarësia e Kosovës del domosdoshmërisht nga shpërbërja e Jugosllavisë”. (po aty, f. 145).

Duke u angazhuar për një lëvizje paqësore e demokratike, që kishte nevojë për përkrahje ndërkombëtare, shqiptarët në ish-Jugosllavi u pajtuan që çështja e tyre kombëtare të ndahej përsëri, kësaj radhe në disa “çështje shqiptare” të shteteve pas-jugosllave. Republika e Shqipërisë kishte dalë e rrënuar nga komunizmi dhe po përballej me një tranzicion të vështirë demokratik dhe pak mund të bënte për mbrojtjen e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Në këto kushte të reduktimit të aspiratës kombëtare, a mund të konceptohej më tutje ekzistenca e një çështjeje kombëtare shqiptare – pasojë e mosrealizimit të së drejtës së kombit shqiptar për vetëvendosje – apo duhej folur për disa “Shqipëri”, secila me përpjekjen e saj për të dalë më vete (Kosova, Ilirida)?

Policentrizmi politik shqiptar

Pyetja e mësipërme jehon dhe te numri i fundit i revistës “Shenja”, tema qendrore e të cilit është “Shqipëritë dhe shqiptarët”. Në kryeartikullin “A jemi NJË?”, autori Ismail Sinani kërkon të dijë nëse “kemi më shumë konvergjenca apo divergjenca shqiptare”, “a është sot banori i Kosovës shqiptar apo kosovar apo edhe njëra edhe tjetra”, shqiptari i Maqedonisë së Veriut a është më shumë me Shqipërinë apo me Kosovën, a kanë shqiptarët një ideal kombëtar, apo disa ideale, në varësi të shteteve ku jetojnë? (“Shenja”, prill 2024, f. 2-5). Autorët e artikujve të revistës sjellin këndvështrimet dhe përgjigjet e tyre ndaj këtyre pyetjeve, mirëpo ndoshta nga të parët që e ka teorizuar njësinë e kombit dhe të çështjes shqiptare përballë copëtimit të dytë politik është Fehmi Agani. Te i njëjti vëllim i veprave të tij gjejmë një shtjellim të vitit 1996 për “policentrizmin” politik të kombit, të cilin po e japim në ligjëratë të drejtë (me disa shkurtime dhe ndërkallje sqaruese tonat), meqenëse përbën temën e artikullin tonë, të njoftuar qysh në titull. Agani shkruan si më poshtë:

“Policentrizmi – të ndalemi te kjo ide që e pat shtruar edhe akademiku i ndjerë Gazmend Zajmi, si një realitet i qenies politike, shoqërore e kulturore të shqiptarëve, i cili, po të kuptohet drejt, po të dihet se interesi kombëtar s’është një abstraksion, por konsiston në fuqizimin e zhvillimit të secilit segment të shoqërisë shqiptare, në secilën sferë dhe në bashkëpunimin e tyre… Një ndër rezultatet e mëdha të këtyre kohëve të rënda është pikërisht afirmimi i të drejtës sonë, si shqiptarë kudo që të jemi, që të kemi dhe të gëzojmë afërsinë e natyrshme, i të drejtës që të kemi probleme të përbashkëta, interesa të përbashkët dhe të drejtë legjitime për të bashkëpunuar për realizimin e tyre….[B]arrierat e shteteve [pas-jugosllave] në të cilat jeton gjysma e popullsisë shqiptare ekzistojnë edhe sot, madje janë më të mëdha ndoshta se më parë, së paku në disa aspekte… [E] jona është që këto pengesa t’i përballojmë dhe jo të pajtohemi e t’u nënshtrohemi atyre. Është e tepërt të thuhet se zhvillimi i përgjithshëm në Europë dhe trendet e tij [demokratizimi, integrimet europiane etj.] e lehtësojnë dhe e favorizojnë këtë bashkëpunim [brendashqiptar]…. Që të mund të jetë i sukseshëm dhe rezultativ bashkëpunimi brendashqiptar i sotëm, është e domosdoshme të njihet mirë natyra e ‘policentrizmit’, që kushtimisht e në mënyrë të reduktuar do ta identifikonim me Tiranën, Prishtinën, Tetovën/Shkupin, të kuptohen nevojat, mundësitë, kushtet e zhvillimit të suksesshëm të secilit synim të bashkëveprimit të përpjekjeve të tyre…. [Z]ona të ndryshme shqiptare sot objektivisht jetojnë në kushte të ndryshme, ballafaqohen me situata e probleme relativisht të veçanta, kanë interesa të veta të veçanta. Të kuptuarit dhe realizimi i këtyre interesave ‘të veçanta’ është gjithsesi interes gjithëshqiptar” (Agani, “Vepra”, vëll. 3, f. 212-215).

Sikurse e pohon vetë Agani, ai nuk është as i pari dhe as i vetmi që ka shkruar për “policentrizmin” shqiptar. Publicistë të ndryshëm e kanë përdorur me lirshmëri termin, duke mos rënë në një mendje për kuptimin dhe dobinë e tij. Te numri i tetorit 2021 i revistës “Shenja”, organi kryesor sot për sot ku rrihen mendime për gjendjen e kombit shqiptar, kemi hasur disa referime te “policentrizmi”. Abdi Baleta, nga Tirana, në artikullin me titull domethënës “A jemi në muzgun e mendimit për bashkimin kombëtar?!”, shkruan se është pa kuptim përcaktimi komb dypolar apo shumëpolar. Një komb policentrik nuk mund të ketë dhe se “kur punët marrin rrugë të tillë kombi shkon drejt zhbërjes. Prandaj, të mos i gënjejë mendja ata shqiptarë që mund ta shohin veten përjetësisht si pjesë e një kombi shqiptar multipolar, edhe duke u integruar plotësisht, deri në asimilim në kombe të tjerë” (f. 14). Në po atë numër, Ardian Ramadani, nga Kumanova, duke iu referuar qëndrimeve të kundërta të kryeministrave Kurti dhe Rama për nismën e Ballkanit të Hapur, shkruan se “polarizimi i mëtejshëm i raporteve mes tyre, po ndikon edhe më fuqishëm… në shndërrim të kombit shqiptar në bipolar, e madje-madje edhe në multipolar (kur të merren parasysh shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata të Preshevës-Medvegjës-Bujanocit, ata të Malit të Zi…), që njërin sy e kanë të drejtuar kah Tirana, e tjetrin kah Prishtina” (f. 22). Disa faqe më tutje, Nexhmedin Spahiu, nga Mitrovica, idenë e kombit e lidh me shtetin, kështu që “komb policentrik” është ai gjerman, sepse zhvillohet përmes disa qendrave urbane konkurruese, ndërsa Vjena është qendra e një kombi tjetër me gjuhë gjermane (f. 27). Daut Dauti, nga Londra, te shkrimi me titull “Bipolariteti i kulturës dhe politikës shqiptare”, argumenton se si zhvillimi i nacionalizmit dhe i kombit shqiptar në histori është përcaktuar nga dy qendra, si rrjedhojë e vendosjes së kufijve të Shqipërisë më 1913. Edhe pse ka gjasa për bashkëpunime më të thella Shqipëri-Kosovë, kjo nuk po ndodh dhe autori e mbyll shkrimin me fjalinë: “Ndoshta fati ynë është bipolariteti apo multipolariteti” (f. 33).

Policentrizmi përmendet sërish te një bashkëbisedim i paradokohshëm i kryeministrit Albin Kurti me Ditmir Bushatin, ish-ministër i punëve të jashtme i Shqipërisë. Pyetjeve të Bushatit se pse ka kaq shumë tensione mes politikanëve në Tiranë, Prishtinë apo Shkup, që gjithashtu reflektohen dhe te politikanët shqiptarë në Malin e Zi apo në Luginën e Preshevës, dhe pse e kemi kaq të vështirë të punojmë për një projekt të përbashkët kombëtar, kryeministri Kurti u përgjigjet se që prej krijimit të një shteti shqiptar, që shtrihej vetëm në një të tretën e trevës së banuar nga kombi shqiptar, “është kultivuar jo me qëllim, por për nga pasoja një lloj policentrizmi tek shqiptarët… Shqiptarët kanë treguar që dinë të bashkohen [në Lidhjen e Prizrenit dhe në shpalljen e pavarësisë në Vlorë]. Kemi vazhduar në forma të ndryshme të jemi bashkë… [por] menaxhimi i shqiptarëve si një trup i huaj në Jugosllavi [përmes ndarjes së tyre në disa republika] e imponoi policentrizmin. Unë tash besoj që në shek. XXI nuk është i mundshëm eliminimi përnjëherë i kësaj gjendjeje reale… Por, ajo çka unë besoj e që është e mundshme të bëhet është që synimin tonë për fuqizimin edhe të Europës si kontinent dhe të NATO-s si aleancë ushtarake e demokracive, ta shfrytëzojmë edhe për kombin shqiptar më shumë edhe më mirë”. Më tutje, ai e vë gishtin në plagë, duke thënë se historiku i shqiptarëve, që sot merren me politikë, ka prodhuar ndjeshmëri të ndryshme ndaj çështjes shqiptare, që rezulton edhe me qëndrime politike joidentike ndaj “Beogradit imperialist”, të cilat “shndërrohen dhe në pengesa bashkëpunimi me njëri-tjetrin… Unë besoj se ky është faktori kryesor e më pastaj të tjerët mund të nxjerrin edhe elemente, si bajraktarizmat, egoizmi e kështu me radhë” (Ditmir Bushati dhe Albin Kurti, “Koha e shqiptarëve”, 30.03.2024. Internet: https://www.youtube.com/watch?v=2GEov1h_N9A [minutat 26:40-32:30]).

Siç shihet nga citatet e mësipërme nga revista “Shenja” dhe nga intervista kryeministrit Kurti me Ditmir Bushatin, “policentrizmi” shenjon në radhë të parë ndarjet shtetërore, së dyti mosbashkimin e faktorëve politikë shqiptarë për të pasur qëndrime të njëjta ndaj armiqve të shqiptarëve dhe, së treti, mosndjekjen prej Shqipërisë, Kosovës dhe faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi të një strategjie për bashkimin e kombit shqiptar. Përkundrazi, qëndrimet e kundërta të qeverive në Tiranë dhe Shkup ndaj sjelljes agresive të Serbisë, flasin për tendencën e rrezikshme të përçarjes më të madhe të shqiptarëve sot dhe në të ardhmen. Për ta thënë shkurt, “policentrizmi” përdoret për ta thënë (më butë) se shumë prej politikanëve shqiptarë, të shpërndarë nëpër shtete e parti të ndryshme, nuk po punojnë për bashkimin e kombit, por në rastin më të mirë vetëm për interesat e veçuara të pjesëve përkatëse të kombit ose, në rastin më të keq, për interesa të pushtetit e të pasurimit personal.

Në pjesën e mëposhtme të artikullit tonë do të përpiqemi të argumentojmë se mënyra se si Fehmi Agani e ka shtjelluar policentrizmin te shqiptarët na e dëfton rrugën e duhur për ta konceptuar ekzistencën e një çështjeje shqiptare, përballë copëtimit politik të imponuar dhe për të na penguar thepisjen drejt idesë së disa “Shqipërive”. Shqetësimi ynë këtu nuk është aspak ruajtja me patjetër e termit “policentrizëm” në diskutimin mbi gjendjen e kombin shqiptar, mirëpo meqenëse ai tashmë përdoret për ta përshkruar gjendjen politike të shqiptarëve, le të përdoret në mënyrë aktive e të frytshme për ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve për nga kahu kombëtar. Synimi ynë është të tregojmë se kombi shqiptar duhet konceptuar si një komb (kësisoj togfjalëshi “komb policentrik” nuk ka kuptim), por nacionalizmi shqiptar e ka një tipar policentrik dhe se, ç’është më e rëndësishmja, është lëvizja kombëtare e shqiptarëve ajo që zhvillohet në disa pole politike.

Policentrizmi i nacionalizmit shqiptar

Me nacionalizëm kuptojmë ideologjinë politike që synon ruajtjen apo arritjen e lirisë dhe mëvetësisë së një kombi. Nacionalistët besojnë se njerëzimi përbëhet nga shumë kombe, se secili prej tyre është i veçantë, prandaj secili prej tyre duhet të ketë mundësi ta ruajë e ta zhvillojë kulturën e vet dhe të trajtohet si i barabartë me të tjerët. Që këndej, sociologu Entoni Smith [Anthony D. Smith], një nga emrat më të njohur në fushën e studimeve shkencore mbi nacionalizmin dhe identitetin kombëtar, shkruan se nacionalizmi është doktrina dhe gjuha e “unicitetit policentrik” të kombit (“National Identity”, Harmondsworth, f. 84, 99). Me këtë, Smith-i kërkon të na tregojë se veçantia e secilit komb është e mundur të konceptohet vetëm në një botë të kombeve, prandaj nacionalizmi parimisht e pranon se vlera, ide, mësime, dije të dobishme për kombin e vet gjendet edhe te (të paktën disa) kombe të tjerë. Nacionalizmat janë imitues të njëri-tjetrit dhe huazimet përgjithësisht lejohen për aq sa nuk e prekin thelbin e kulturës dhe të trashëgimisë unike të secilit komb. Sigurisht, përbërja e “thelbit” të kombit debatohet vazhdimisht prej anëtarëve të këtij dhe ajo është ndryshueshme në kohë. Nacionalizmi policentrik është i vetëdijshëm se ekzistojnë shumë qendra të pushtetit, si dhe qytetërime të zhvilluara, andaj mbijetesën dhe lirinë e kombit e sheh të lidhur me një a më shumë qendra të pushtetit real dhe duke iu bashkuar një qytetërimi së bashku me kombe të tjerë. Mirëpo, Smith-i na kujton se ka ekzistuar dhe ekziston “nacionalizmi etnocentrik”, për të cilin vlerat më të larta, fuqia, kultura e vërtetë, shenjtëria etj. ndodhen vetëm brenda kombit të vet, prandaj ky është i vetëmjaftueshëm dhe kombet e tjerë duhet ta imitojnë dhe t’i nështrohen këtij (A. D. Smith, “Theories of Nationalism”, Nju Jork, 1983, f. 158-159). Fashizmi apo pasllavizmi mesianik rus janë shembuj sa historikë, po aq aktualë, të “nacionalizmit etnocentrik”. Nëse do të nisemi nga tipi ideal i nacionalizmit policentrik, sigurisht që nacionalizmi shqiptar është policentrik, sepse ka synuar që kombi shqiptar të bëhet pjesë e “familjes së kombeve” dhe sot kërkon që shqiptarët të jetojnë në liri, paqe e dinjitet së bashku me kombet e tjerë të Europës. Faktori politik shqiptar në të gjitha trevat është i bashkuar rreth pranimit (qoftë edhe retorik) të qytetërimit perëndimor dhe synimit të integrimit në Bashkimin Europian dhe NATO. (Ndërsa ata që kanë dëshirë të dallojnë një përmasë nacionaliste te diktatura e Enver Hoxhës duhet njëkohësisht ta pranojnë se kemi të bëjmë me një nacionalizëm etnocentrik e ksenofob, që lartësonte vetëm “arritjet” e regjimit komunist dhe që refuzonte “ndikimet e huaja”, përfshirë edhe ato që vinin prej shqiptarëve jashtë kufirit shtetëror.)

Pasi sqaruam se cilësori “policentrik” pranohet për nacionalizmin bashkëkohor shqiptar, për idetë që ai ka trashëguar që Rilindja Kombëtare e deri te Ukshin Hoti, vijmë te policentrizmi i lëvizjes kombëtare në ditët tona. Këtu na vjen në ndihmë teorizimi i mësipërm i Fehmi Aganit. Nëse do të mund të flasim për një lëvizje kombëtare shqiptare, ajo ekziston e njësuar për sa i përket idesë se bashkimi shqiptar është një imperativ që nuk ka alternativë, se shqiptarët duhet ta synojnë kurdoherë, nëpër të gjithë atdheun e tyre. Siç thotë Agani, ne kemi të drejtën që të kemi probleme të përbashkëta dhe të drejtën për t’i zgjidhur ato së bashku. Problemi i parë i yni është ai kombëtar.

Në krahun tjetër, lëvizja kombëtare shqiptare njëherazi ekziston e ndarë nëpër disa shtete ballkanike dhe diasporë dhe në kushtet e pluralizmit politik. Kjo do të thotë se, në veprimtarinë politike dhe shoqërore të përditshme, ata aktivistë që punojnë për zgjidhjen e çështjes shqiptare përballen me pengesa të shumta, të cilat duhet “t’i përballojmë e jo të pajtohemi e t’u nënshtrohemi”. Kështu, çështja konkrete që kërkon përgjigje konkrete është se si mund të funksionojmë si komb në realitetin e ndarjes në disa shtete, si të angazhohemi me kufijtë shtetërorë që na janë imponuar në mënyrë që të dobësojmë sa mundemi efektet e tyre të dëmshme. Secila pjesë e lëvizjes vepron më vete dhe në shtetin e vet, por pa humbur vizionin e së tërës. Policentrizëm do të thotë se nga secila pjesë e kombit të ndarë krijohen qendra shqiptarie (por jo nga një Shqipëri më vete!), që e kryejnë detyrën e vet në raport me bashkimin. Detyra duhet kryer edhe kur qendrat e tjera nuk e bëjnë këtë. Fjala bie, lëvizja shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të shohë vazhdimisht për nga Tirana e Prishtina, por jo ta harrojë detyrën e tyre kombëtare, që në kushtet e tanishme mund të zbërthehet në këto objektiva: (1) barazimi i statusit kushtetues e ligjor të shqiptarëve me atë të maqedonasve; (2) mirëqeverisja dhe mirëqenia socio-ekonomike e shqiptarëve dhe e qytetarëve të etnive të tjera në komunat me shumicë shqiptare; (3) territorializimi i sovranitetit shqiptar me anë të federalizimit të republikës, sipas shembujve të përparuar europiane, ta zëmë shteti i Belgjikës. Sigurisht që lëvizjet kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi apo në Luginën e Preshevës sot për sot kanë objektiva më të kufizuara, në varësi të rrethanave konkrete.

Policentrizëm në strategjinë e lëvizjes kombëtare do të thotë se nuk ka një “Piemont shqiptar”, se Shqipëria dhe Kosova e kanë të barabartë të drejtën dhe barrën për ta udhëhequr bashkimin e kombit. Siç shkruan Baleta, “ajo pjesë që në një moment të dhënë bëhet më e vonë se tjetra, duhet të prijë procesin, madje ta imponojë atë për të gjithë shqiptarët” (vep. e cit., f., 12). Mirëpo, kjo supozon se të paktën njëri nga shtetet të drejtohet nga krahu kombëtar. Atëherë kur udhëheqja politike e Tiranës bashkohet me trysninë e përkohshme dhe të paparimtë të diplomacisë perëndimore që Kosova t’u dorëzohet kushtëzimeve të Serbisë, që dëmtojnë shtetësinë e Kosovës dhe perspektivën e bashkimit të saj me Shqipërinë, atëherë Prishtina duhet të mbrojë e të fuqizojë shtetësinë e Kosovës edhe ndaj ndikimit të dëmshëm nga Tirana. Parë nga aspekti kombëtar, Presidenti Ibrahim Rugova kishte të drejtë që nuk e dëgjonte Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili hodhi formulën e “hapësirës demokratike” për shqiptarët në ish Jugosllavi dhe përkrahte idenë e diplomacisë perëndimore që shqiptarët e Kosovës t’u bashkoheshin protestave të opozitës serbe për të rrëzuar nga pushteti presidentin Millosheviq.

Agani shkruan se interesi kombëtar nuk duhet të merret si diçka abstrakte, por të shihet si një përmasë e fuqizimit të secilit segment të shoqërisë shqiptare. Prandaj, veprimtarët kombëtarë duhet ta zhvillojnë kritikën shoqërore dhe të punojnë për drejtësinë shoqërore. Po ashtu, nevojitet mbrojtje e fuqizim i sferës publike kudo kur janë shqiptarët. Në histori kemi pasur plot shqiptarë të pushtetshëm e të pasur, por kombi ynë ka qenë i dobët dhe i varfër. Duke fuqizuar “publiken shqiptare” në çdo shtet i shërbejmë njëkohësisht edhe interesit kombëtar. Agani i cilëson “të veçanta” dhe jo “të veçuara” ato interesa që i përkasin një pjesë të ndarë të kombit. Kur realizimi i interesave të veçanta – bie fjala interesi i çamëve për kthimin në Çamëri dhe për njohjen nga Greqia të gjenocidit çam – do të ndihmohet dhe nga pjesët e tjera të kombit, vetëm atëherë mund të themi se interesat e veçanta kthehen në interesa mbarëkombëtare.

Edhe pse të ndarë në shtete, krahina, klasa shoqërore, gjini, parti politike dhe sipas interesave të ndryshme, shqiptarët e perceptojnë veten edhe si anëtarë të një kombi. Nga perceptimi rrjedh edhe vetëdija se i përkasin një kombi të ndarë, për pasojë që ekziston edhe një çështje kombëtare. Ata shqiptarë që e marrin përsipër të punojnë për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, doemos duhet t’ia nisin nga kushtet dhe mundësitë vendore të dhëna, por nuk duhet të humbasin nga shikimi situatën e përgjithshme të kombit dhe interesat e veçanta në pjesët e tij. Duke e njohur policentrizmin e lëvizjes, duhet punuar për bashkërendimin e saj në gjithë shtrirjen e atdheut. Bashkimi nuk do të ndodh menjëherë, jo përpara se t’i shfrytëzojmë maksimalisht ato hapësira veprimi që u janë krijuar pjesëve të ndara të kombit. Bashkimi kombëtar do të jetë rrjedhojë e natyrshme e një kërkese mbarëshoqërore për një liri më të madhe veprimi, pra atëherë kur të kemi shteruar mundësitë e gradëve të tanishme të lirisë. /revistashenja

Exit mobile version