Ballina Autorë Opinione Mbi ndikimin e letërsisë në mendimin politik dhe në drejtimin e shtetit

Mbi ndikimin e letërsisë në mendimin politik dhe në drejtimin e shtetit

Ditar Kabashi

Përmes shkrimeve letrare mund të përhapen ideologji a mendime politike. Nacionalizmi, liberalizmi, socializmi, komunizmi, anarkizmi, etj. arrijnë të qasen më efektivisht tek masat e gjera nëpërmjet letërsisë sesa me programet partiake. Orientimi që një shkrimtar i jep veprës së vet e përudh deri në një shkallë kahun e perceptimit të lexuesit.

Ditar KABASHI, Prizren

Letërsia dhe drejtimi i shtetit. Ky formulim, në pamje të parë, mund të duket pa relacion, i sforcuar ose shkarje e vëmendjes së shkruesit (bindja e njëjtë mbase s’do të ishte për shprehjen: drejtësia dhe drejtimi i shtetit).

Ndonëse letërsia nuk mëton të përfshihet drejtpërdrejt në administrimin e shtetit, për nga karakteri që ka, ajo zotëron aftësinë për të ngjizur mendimin analitik të individëve. Kjo gjë çon në dallimin më të vëmendshëm të ngjarjeve shoqërore dhe të çështjeve publike/politike dhe vlen, natyrisht, për ata që nuk i përpijnë faqet e veprave letrare por që hyjnë në botën e tyre. Tutje paraqiten disa aspekte të afektimit të letërsisë në çështjet që kanë të bëjnë me shtetin dhe politikën.

Mendimi kritik dhe reflektimi ndaj tekstit

Letërsia hap horizonte për të vëzhguar me sy kritik ngjarjet shoqërore, politikat dhe pushtetarët. Një shkrimtar, me kritikat e veta të drejtpërdrejta a të tërthorta për dukuritë negative në qeverisjen e një vendi, që nga padrejtësitë e deri tek aferat korruptive, sendërgjon një pasqyrë të gjithë asaj që ndodh në realitetin shoqëror. Njëherësh ky është farkëtim i vetëdijes kolektive. Fjala bie, vepra “1984″ e George Orwell-it i shquan vetitë e regjimeve jodemokratike, duke i spikatur rreziqet ndaj lirisë së qytetarëve. Nuk ka dyshim se vepra në fjalë ka ndikuar në ravijëzimin e mendimit politik jo vetëm të shoqërisë britanike të kohës, por për secilin individ të interesuar në botë. Fundja, dukuritë mund të ndërrojnë trajtë, por në thelb mbeten të njëjta. Letërsia, nëpërmjet qasjes kritike, stimulon njerëzit të reflektojnë mbi çështjet politike dhe mund t’i frymëzojë për të vepruar në drejtime të caktuara.

Perspektiva historike dhe mbamendja kolektive

Letërsia kryen edhe funksionin e regjistrit të së kaluarës së një vendi, duke mëtuar të hedhë dritë për të ardhmen. Përmes nënvizimeve në veprat letrare të ngjarjeve kryesore në retrospektivë, shëmbëllejnë arritjet, dështimet dhe zhvillimet e shoqërive. Nga “Iliada” e “Odiseja” e Homerit deri te “Lufta dhe Paqja” e Lev Tolstoy-it hasen fragmente të shënuara të periudhave të luftërave dhe efekteve të tyre në konsolidimin e zakoneve, rendeve juridike e sociale dhe, përgjithësisht, shteteve. Kështu ofrohet një vrojtim gjykues i ndodhive historike dhe nxirren leksione për vizionin e së ardhmes.

Krijimi i identitetit kombëtar dhe unitetit

Letërsia luan një rol aktiv në brumosjen e identitetit kombëtar dhe në përmbledhjen e vlerave të përbashkëta, zakonisht mbi baza kulturore, të një shoqërie të organizuar. Qeverisja e një shteti nuk duhet të jetë e shkëputur nga trashëgimia kulturore dhe historike e vendit. Tekstet e himneve kombëtare paraqesin një shembull ilustrues për këtë pohim. Tek ato vihen në pah ndjenjat për liri, pavarësi, atdhedashuri dhe, po aty, shpeshherë, hasen premisa të ecejakut shtetformues, në të cilat kundrohen porosi që mbajnë lart moralin dhe solidaritetin e kombit. Këto tekste shërbejnë si çimento ideologjike në ndërtimin e kombit dhe të shtetit. Rëndom, ato lindin nga themelet e lëvizjeve të ndryshme politike dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare paraqet një shembull të këtillë.

Uniteti është një element që hetohet në tekstet e himneve. Pa krahasuar himnet botërore, veç tekstet që janë quajtur “himn” në letërsinë shqipe e provojnë thirrjen për unitet: “Rreth Flamurit, të përbashkuar/ me një dëshir’ e një qëllim/ të gjith’ atij duke u betuar/ të lidhim besën për shpëtim…” në autorësinë e Asdrenit, ose “Porsi fleta e Êjllit t’Zotit/ po rreh Flamuri i Shqypnís/ e thrret t’bijt e Kastrijotit/ me u mbledhë tok nder çetë t’ushtrís…” në poezinë për himnin te Gjergj Fishta. Siç kuptohet, këto japin kushtrimin për unitet që shpie në mbijetesë të kombit shqiptar në periudhat e vështira ekzistenciale. Një dimension tjetër, marrë parasysh përbërjen heterogjene fetare të shqiptarëve, në poezinë “Himni i Flamurit”, Fan Noli vë theksin në harmoninë ndërfetare dhe i atribuon tipare universale flamurit: “Flamur që lint Shën Kostandinin/ pajton Islamn’ e Krishtërimin/ çpall midis feve vllazërimin/ flamur bujar për Njerëzi…”. Në këtë kontekst, flamuri, si element i përbashkët i identitetit kombëtar dhe simbol shtetëror, përmes letërsisë, mund të “fitojë” veçori metafizike, shpirtërore, për të cilin edhe mund të vdesësh. Pra, i pamohueshëm është impakti i letërsisë, e cila një vepër artistike pamore të dizajnuar mbi një pëlhurë e shndërron në simbol mishërues të shpirtit të një kombi, i cili më pas e përfaqëson shtetin në arenën ndërkombëtare edhe bëhet udhërrëfyes në vatrat e luftës.

Po qe se do të vështrohej rasti i shtetit të Kosovës, i krijuar më 2008, do të vërtetoheshin këto që u thanë më sipër, veçse me argumentum a contrario. Për flamurin e shtetit të Kosovës nuk janë shkruar tekste epike/himn(e) nga shkrimtarët. Ky është një faktor (por jo i vetmi) që flamuri i Republikës së Kosovës ende nuk është etabluar në vetëperceptimin identitar të shoqërisë kosovare. Letërsia, duke mos përçuar ndjesi tek masa, e ka lënë të zvetënuar emocionin për flamurin shtetëror kosovar. Dhe, kjo nuk është gjithaq e thjeshtë, sepse afekton edhe ndjeshmërinë për shtetin dhe për idealin e së ardhmes, me një fjalë, për identifikimin si komb.

Propagandimi i ideve dhe ideologjive

Përmes shkrimeve letrare mund të përhapen ideologji a mendime politike. Nacionalizmi, liberalizmi, socializmi, komunizmi, anarkizmi, etj. arrijnë të qasen më efektivisht tek masat e gjera nëpërmjet letërsisë sesa me programet partiake. Orientimi që një shkrimtar i jep veprës së vet e përudh deri në një shkallë kahun e perceptimit të lexuesit. Ky lloj ndërgjegjësimi ndikon më pas në përpilimin e politikave, sikundërqë mund të ngjallë zemërim te regjimet e caktuara qeverisëse, posaçërisht tek ato që kanë prirje autoritare, të cilat, secilën shkëndijë ideore e shohin si kundërvënie dhe rezistencë politike me tendencë destabilizuese. Për shkak të veprave të tyre, shumë shkrimtarë në botë janë penalizuar, qoftë me heqje lirie (Fyodor Dostojevski, Pablo Neruda, Nazım Hikmet, Kasëm Trebeshina, Fatos Lubonja, Arshi Pipa, etj.), qoftë me ndalim të shpërndarjes së veprave (Jean-Jacques Rousseau, Boris Pasternak, Gabriel Garcia Marquez, Gjergj Fishta, At Zef Pllumi, Ali Asllani, etj.) qoftë edhe me ekzekutim fizik (Sokrati, Thomas More, Ali Sheriati, Havzi Nela, etj.).

Gjurmimi ndaj drejtësisë

Letërsia promovon mendime rreth drejtësisë sociale dhe qeverisjes mbi fondament aksiologjik-etik. Në veprat letrare pasqyrohen problemet e drejtësisë, por edhe zgjidhjet për to, ekzistenca e pabarazive dhe shuarja e tyre, traumat shoqërore që burojnë nga diktatet a keqqeverisja, etj. Franz Kafka, te “Procesi”, denoncoi kalbjen e sistemit të drejtësisë deri në absurd; Victor Hugo, me “Të mjerët”, zgjoi vëmendjen ndaj pabarazive shoqërore, etj.

Letërsia mbi raportet shtet-popull

Letërsia ndonjëherë mund të ketë funksionin e një ure midis shtetit/pushtetit dhe popullit/qytetarëve. Shkrimtarët mund të bëhen zëri i popullit (ndryshe nga përfaqësuesit politikë që thirren kësisoj) dhe shprehin brengat, kërkesat dhe pritmëritë e shoqërisë a të komuniteteve të caktuara. Thjesht, i përcjellin porositë përmes stilit letrar. Kështu, udhëheqësit e pushtetshëm (të mençurit, sigurisht) e kuptojnë më mirë gjendjen e popullit dhe zbulojnë indikacione për të hartuar politikat e tyre publike. Kjo paraqitet në modele të ndryshme, por më e shpeshta ngjan të jetë satira. Përmes romaneve, tregimeve, madje edhe poezive, shkrimtarët mund të satirizojnë me politikat zyrtare të shtetit, pastaj me ngurtësinë burokratike, tendencat për transformim identitar që bëhen me dorën e shtetit (sikurse në disa vende pas dy luftërave botërore), etj. Dritëro Agolli me shokun Zylo dhe Aziz Nesin-i me prozat e tij të panumërta janë ndër penat që kanë zhveshur para botës mefshtësinë e jetës politike dhe institucionale të vendeve respektive.

Fjalë përmbledhëse

Megjithëse letërsia nuk është faktor i drejtpërdrejtë në drejtimin e shtetit, ajo kontribuon në ngritjen e vetëdijes sociale, zhvillimin e mendimit kritik, kërkimin e drejtësisë dhe ndriçimin e mësimeve nga e kaluara, me nxitjen e debateve ideologjike të cilat shndërrohen në shtysë të ndikimit në politikëbërje. Kësisoj, letërsia mund të ndihmojë që shteti, por edhe populli, të veprojnë në mënyrë më të përgjegjshme, të drejtë dhe mbi vlera etike.

Përkundër kësaj, duket sheshit se ka një tjetërsim në qasjen e të qenit shkrimtar në ditët e sotme. Teksa dikur, shkrimtari ka qenë intelektual per se, sot, shkrimtar mund të bëhet gjithsekush, pavarësisht kapacitetit personal dhe fuqisë së tekstit që ka, duke mjaftuar që të gjejë shtegun për botim dhe për të depërtuar në tregun medial. Shkurtimisht, nga një sfond ideali a ideologjie, shkrimtarët e sotëm, në masë të madhe, priren të botojnë o për qejf o për leverdi komerciale a statusore (përjashtime ka çdoherë), pa çarë kokën nëse veprat e tyre do të prekin për zgjimin e masave ndaj dukurive të ndryshme. Gjithsesi, konformizmi nuk është tipar i vetvetishëm i shkrimtarit të mirëfilltë. /revistashenja

Exit mobile version