Fluksi i vizitorëve të huaj në Shqipëri, në muajin gusht 2018 u rrit 21.1%
Turizmi shqiptar po njeh një ngritje të stabilizuar dhe cilësore. Fluksi i lartë i turistëve, veçanërisht atyre të huaj në vendin tonë, shoqëroi edhe muajin gusht të këtij viti.
Instituti i Statistikave publikoi të dhënat zyrtare, ku evidenton se në total për 8-mujorin 2018, në Shqipëri kanë hyrë 4.4 milionë të huaj, me rritje 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin gusht 2018, është 2 120 822, krahasuar me gushtin 2017, ky tregues rezulton me rritje 21.1%.
Në gusht 2018, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 1 449 952. Krahasuar me gushtin 2017, ky numër është rritur me 26.9 %.
Si tremujor, bën të ditur INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në tetëmujorin e 2018 është 4 397 638 duke u rritur me 16.8 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.
Shifrat e INSTAT konfirmojnë edhe parashikimet e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC), i cili njoftoi për një rritje të gjithanshme për turizmin shqiptar gjatë vitit 2018.
Në një analizë të përgjithshme, WTTC-ja përmend ndikimin e turizmit shqiptar në Produktin e Brendshëm Bruto, në punësim, në numrin e vizitorëve si edhe në totalin e investimeve. WTTC-ja i parashikon në rritje të gjithë këta faktorë.
Sipas saj, kontributet direkte të turizmit në PBB gjatë vitit 2017 ishin 134.1 miliardë lekë (USD 1124.1 mln), ose 8.5% të PBB-së totale, ndërkohë që për vitin 2018 parashikohet një rritje prej 3.9% in 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit përgjatë viteve 2018-2028. Kjo rritje do të arrijë në 220.4 miliardë lekë (USD 1847.2 mln) ose në 9.3% të PBB-së totale në vitin 2028, transmeton atsh.
Sipas WTTC kontributi total për vitin 2017 ishte 414.2 miliardë lekë (USD 3471.9 mln), ose 26.2% e PBB dhe parashikimi është një rritje prej 4.4% në vitin 2018 dhe një rritje prej 4.7% në vit, në 684.2 miliarëd lekë (USD 5,735.0 mln), ose 28.9% e PBB në vitin 2028.
Ndërkohë, kontributi direkt për punësimin nga turizmi gjatë vitit 2017 ishte 93,500 vende pune (7.7% e punësimit total). Kjo pritet të rritet 3.3% në vitin 2018 si edhe një rritje prej 1.4% çdo vit në 111,000 vende pune (8.8% e punësimit total) në vitin 2028.
Në 2017, kontributi total i turizmit në punësim, përfshi punët e mbështetura në mënyrë indirekte nga industria ishte 24.1% e punësimit total (291,500 vende pune).